×
  • Lajme
  • Lajme / Deputeti i VV-së

    Korenica: Lajm shqetësues kufizimi i SHBA-së ndaj Kurtit

    Reporteri
    07 Mars 2024 | 21:23

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka komentuar raportimin e gazetës online Reporteri.net se SHBA ka limituar nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me kryeministrin Albin Kurti, shkaku i moskoordinimit të përgjithshëm të shefit të ekzekutivit kosovar në çështjet që mund të ngadalësojnë apo rrezikojnë progresin në implementimin e marrëveshjeve me Serbinë.

    Deputeti Korenica në televizionin “RTV Dukagjini” ka thënë se ka deputetë brenda VV-së që janë të shqetësuar për raportet me SHBA-në.

    “I marrim me shqetësim, i diskutojmë në takime me grupin parlamentar, por që pajtohem. Ka njerëz që janë të shqetësuar sa i përket situatave kur kemi këtë mos pëlqyeshmëri të situatave të caktuara të cilat dalin publike nga SHBA. I trajtojmë me shqetësim që të mos cenohen raportet. Nuk besoj që raportet cenohen me qëllim, sepse atëherë do ishin skandaloze”, ka thënë ai teksa ka komentuar raportimin e gazetës online Reporteri.net.

    Gazeta Online Reporteri.net ka raportuar sonte se niveli i bashkëpunimit dhe takimeve mes kryeministrit Kurti dhe zyrtarëve të SHBA-së është i kufizuar.

    SHBA-ja ‘masë kufizuese’ ndaj kryeministrit Kurti, limiton nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me të

    Korenica ka thënë se nëse kjo është e vërtetë, atëherë do jetë tepër shqetësuese, derisa shtoi se duhet ta presin konfirmimin në mënyrë që të dihet me siguri.

    Tutje Korenica ka insistuar se Qeveria e Kosovës, mban takime ditore e javore me ambasadorin e ShBA-së, në Kosovë, Jeff Hovenier.

    “SHBA-ja është partnere shumë e rëndësishme, na ka ndihmuar në shumë procese që i kemi kaluar dhe i kalojmë. Jam i bindur se Qeveri mban kontakte javore me përfaqësues të SHBA-së në Kosovë, me Hovenier. Qeveria do të merret me këtë situatë apo këtë deklaratë apo vendimmarrje që pritet ndoshta të jetë e konfirmuar, nuk e dimë tani për tani. Qeveria ka bashkëpunim ditor e javor dhe të thellë me SHBA-në, që janë partner të rëndësishëm në rrugën tonë”, ka thënë Korenica në Debat Plus.

    Ambasada e SHBA-së konfirmon: Zyrtarja e lartë amerikane zgjodhi kë të takojë në Kosovë, Kurti nuk ishte

    Ndëshkimi amerikan për Kurtin – kaq hapur – ndodhë për herën e parë, por jo edhe për anëtarë të kabinetit të tij. Në nëntor të vitit 2022, Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe disa zyrtarëve të tjerë qeveritarë, SHBA ua kishte ndaluar një vizitë në Washington, si ndëshkim për vendimin e Kurtit për targat që ishte pasuar me “krizën e madhe” në veri.

    “Mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në SHBA për takime zyrtare, duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, kishte konfirmuar në atë kohë thënë ambasadori Hovenier.

    Ndryshe, veprimet “e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës dhe tensionet në veri të vendit, Kosovës, qysh verën e vitit 2023 po i kushtojnë edhe me “masa kufizuese” nga Bashkimi Evropian – që në vend janë quajtur edhe sanksione. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!