×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova dëshiron të “pushtojë” Veriun, propagandon Daçiç

    Reporteri
    27 Shtator 2022 | 10:42
    Ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiç

    Perëndimi hesht dhe ia miraton veprimet Kosovës, është ankuar ish-kryekuvendari serb, Ivica Daçiç për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Qëllim të Kosovës, politikani më jetëgjatë në skenën serbe, ish-zëdhënësi i Sllobodan Millosheviçit, e quan “pushtimin ushtarak të Veriut”.

    Dhe jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe me rajonet të tjera ku ka serbë, Daçiç u ankua se ekziston “heshtje” ndaj, sipas tij, “dëbimit të serbëve”, duke u thirrur në interpretimet mohuese serbe të ngjarjeve të viteve të 90’ta në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë.

    “Serbia po lufton për paqe me gjithë fuqinë e saj në negociatat e Brukselit, edhe pse Prishtina nuk dëshiron të zbatojë atë për çfarë është pajtuar, vazhdimisht duke ndërmarrë veprime të njëanshme që për qëllim kanë pushtimin ushtarak të Veriut të Kosovës dhe pogrom ndaj serbëve”, ka thënë Ivica Daçiç.

    Përveç Kosovës, Daçiç u ankua në Bashkimin Evropian për “heshtje” rreth numrit të serbëve në censusin kroat, si dhe për çfarë ai interpretoi si “revizionizëm” të Marrëveshjes Dejtonit, “e cila thërret për zhbërjen e Republika Srpska-s”.

    Kujtojmë se në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare serbe të 3 prillit, Daçiç vazhdimisht është krenuar me ish-shefin e tij Sllobodan Millosheviçin, për të cilën deklaronte para mijëra të tubuarve se “trashëgimia më e madhe që Millosheviç u ka lënë serbëve është ‘Republika Srpska’”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Republika Srpska” u arrit përmes gjenocidin dhe spastrimit më brutal etnik, ku ish-lideri serb politik i Bosnjes, Radovcan Karagjiç, dhe ish-lideri ushtarak serb Ratko Mlladiç, janë dënuar me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Bosnje-Hercegovinës.

    Perëndimi reagon “vetëm ndaj Serbisë përmes kërcënimeve”, vlerësoi Daçiç, duke folur për marrëveshjen e fundit të nënshkruar mes ministrit serb të jashtëm, Nikolla Selakoviç dhe ministrit rus të jashtëm Sergej Lavrov.

    “Ata [perëndimi] heshtin kur Ministria e Jashtme e Shqipërisë dhe e Kosovës nënshkruajnë marrëveshje të ndryshme që përmbajnë misione të përbashkëta diplomatike dhe asistuese për njohjen e Kosovës”, u shpreh Ivica Daçiç.

    “Unë, personalisht, si Ministër i Punëve të Jashtme, për gjashtë vite kam nënshkruar disa këso marrëveshjesh me Rusinë, si dhe me vende tjera, gjë që është praktikë e zakonshme, dhe e cila nuk e afekton politikën e jashtme serbe në asnjë mënyrë”, ka thënë ish-kryekuvendari serb, Ivica Daçiç./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!