×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova gjatë vitit 2021 dëboi 21 persona me forcë

    Reporteri
    11 Shkurt 2022 | 19:00

    Kosova ka dëbuar 23 persona në vendet e origjinës gjatë vitit 2021 ndërsa me forcë, dëboi 21 persona, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Ministria e Punëve të Brendshme ka treguar për Gazetën Online Reporteri.net se gjatë vitit 2020 janë dëbuar vetëm 10 persona. Por këto shifra ndryshojnë kur vjen fjala te ekstradimet me forcë.

    “Nga evidentimet zyrtare të kryera në Kosovë, rezulton se 23 persona janë dëbuar gjatë 2021-tës. Gjatë vitit 2020 ishin 10 raste”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Kjo tregon vetëm të dhënat e dëbimeve nga Kosova me vendime të Gjykatës Themelore.

    Ndërkaq në një përgjigje nga Policia e Kosovës për Gazetën Online Reporteri.net theksohet se vendimet për largim me forcë, nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, në kuadër të Policisë Kufitare që janë ekzekutuar sipas shtetësisë, në vitin 2020 kanë qenë 49 raste ndërsa në vitin 2021, 21 raste.

    Policia, thekson po ashtu se ka pasur edhe disa raste që migrantët janë larguar në baza vullnetare.

    “Sa i përket i përket arsyeve të këtyre depërtimeve janë nga më të ndryshmet, kur bëhet fjalë për largimet vullnetare të lëshuara nga DSHAM-it (Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim) ato janë lëshuar për shkak të refuzimit të kërkesave për lëshimin e leje-qëndrimeve dhe revokimit të leje-qëndrimeve që kanë poseduar, ndërsa te rastet e lëshuara të largimeve vullnetare dhe me forcë ato janë lëshuar për disa arsye duke filluar prej qëndrimit të tejzgjatur në Kosovë, mbi 90 ditë brenda afatit prej 180 ditëve, mosparaqitje të adresave gjatë qëndrimit në Kosovë brenda afatit prej 72 orëve, qëndrim ilegal dhe kryerje të veprave të ndryshme penale në rastet kur kemi zbatuar vendime të Gjykatave”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Gazetën Online Reporteri.net.

    Në Kosovë, kur bëhet fjalë për dëbimet me forcë, rasti i vetëm që u bë publik ishte ai i shtetasve turq.

    Në mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, autoritetet kosovare patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq. Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

    Ankaraja dyshonte se ata janë anëtarë të organizatës “Hizmet” (Turqia i referohet si FETO), të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016, kurse institucioni “Gulistan” konsiderohet i tij.

    Pesë prej shtetasve turq të dëbuar ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif”, që operon në kuadër të “Gulistanit” në Kosovë, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.

    Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës në shkurt të vitit 2019 pati identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq, në mars të vitit 2018.

    Gjashtë shtetasit turq të arrestuar në Kosovë dhe të dëbuar në Turqi në mars 2018, u dënuan me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim në total. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!