Kosova në nivel me Indinë e Kinën për aplikime për vizë zvicerane

Kosova gjeografikisht është pjesë e kontinentit evropian, por mbetet vendi më i izoluar në Evropë. Regjimi i vizave mbetet në fuqi për kosovarët, si të vetmit që nuk kanë liberalizim të vizave në Ballkan.


Kryeministri Ramush Haradinaj kishte publikuar shifra se në vitin 2018 numri i kosovarëve që po largohet nga vendi për të kërkuar azil është në rënie duke thënë se vetëm 3515 persona kanë bërë kërkesa për migrim.

Zvicra llogaritet se ka më së shumti mërgimtarë nga Kosova që janë rezidentë në këtë shtet, prandaj ende mbetet si vendi që ka pothuajse më së shumti aplikime për vizë nga Kosova.

Ambasada zvicerane në Prishtinë përpos përfaqësimit të shtetit zviceran në Kosovë, përfaqëson edhe shtetet si Franca, Belgjika, Holanda, Austria dhe Luksemburgu.

Në një përgjigje për Gazetën Express kjo ambasadë ka dhënë disa shifra për numrin e aplikuesve për viza nga Kosova.

Për vitin 2018 Kosova renditet e katërta në botë për totalin e aplikimeve për viza në shtetin Zviceran me 38,452 aplikime duke përfshirë aplikimet për viza shëngen dhe viza për bashkim familjar apo martesa, 1024 aplikime më shumë se në vitin 2017. Në këtë renditje para Kosovës janë vetëm Kina, India dhe Tajlanda.

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës ka zhvilluar procedura të reja globale për shërbime të aplikimit me vizë shëngen përmes partnerëve TLScontact që shërben si agjenci zyrtare për ambasadën zvicerane në Prishtinë. E aplikimi përmes kësaj agjencie kushton akoma më shtrenjtë. Deri më tani aplikimi për vizë shëngen në ambasadën e Zvicrës ka kushtuar 60 euro, tani duhet të paguhet edhe 23 euro më tepër për shërbimet e agjencisë.

Që nga shtatori i 2018 kur është zyrtarizuar aplikimi përmes kësaj agjencie 10401 aplikime për vizë shëngen janë dorëzuar vetëm në katër muajt e fundit nga kosovarët.

Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migrim të Zvicrës në vitin 2018 çdo e treta vizë kombëtare u lëshua për një qytetar nga Kosova. Viza D e njohur si vizë kombëtare lëshohet nga shteti i Zvicrës për periudhë më të gjatë se 3 muaj. Pra 7350 viza D ja lëshuar për kosovarët, kështu duke lënë pas SHBA-të me 5545 viza, dhe Indinë me 5468 viza.

Në vitin 2018, Zvicra ka përpunuar 28,322 kërkesa për vizë për shtetet e tjera anëtare si Franca, Holanda, Belgjika,Austria. Nga këto kërkesa prin Prishtina(Kosova) me 9055 aplikime duke lënë pas Astanën(Kazakistan) me 5923 aplikime.

Aplikimet për vizë shëngen në vitin 2018 përmes internetit në ambasadat zvicerane në botë vendin e parë e zë Prishtina me 15724 aplikime duke e lënë pas San Franciskon(SHBA) me 3358 që njihet si qyteti teknologjik më i madhi në botë.

Zvicra ka lëshuar edhe viza humanitare për shtetet e caktuara, shteti i parë është Siria me 171 viza e Kosova është e dyta me 144 viza humanitare të lëshuara nga shteti zviceran.