×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova plotëson kushtet për hyrje në Këshillin e Evropës, por vendimi final zor që merret

    Reporteri
    06 Janar 2022 | 23:20

    Si ministre e Punëve të Jashtme të Kroacisë e vizitoi Kosovën dhe i ofroi mbështetje të fortë për integrime euroatlantike. Marija Pejçinoviq-Buriq tani mban pozitën kryesore të Këshillit të Evropës duke qenë Sekretare Gjenerale.

    Po në KiE raportues për Kosovë është politikani gjerman Peter Beyer.

    Me krejt këto fakte, që llogariten si pozitive, qeveria në Prishtinë nuk e ka bërë me dije nëse do të aplikojë sivjet për anëtarësim në këtë institucion ndërkombëtar me seli në Strasburg të Francës, përcjell televizioni publik.

    Këshilli në fjalë është një nga organizatat më të rëndësishme në botë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

    Një anëtare nga opozita e Komisionit për Integrime Evropiane thotë se vazhdimisht kanë kërkuar prej kryediplomates, Donika Gërvalla, sqarime rreth aplikimit për hyrje në KiE.

    Njohësi i procesit të integrimeve evropiane, Besnik Vasolli, pohon se Kosova teknikisht plotëson kushtet për hyrje në këshill ku ekziston shumica e votave në Asamble, por problemi qëndron diku tjetër.

    Në Marrëveshjen e Washingtonit, që pala kosovare e nënshkroi në shtator të vitit 2020, përfshihet edhe pika që për një vit të mos aplikohet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    Qeveria aktuale kurrë nuk e ka sqaruar se a vlen akoma ky zotim i ekzekutivit paraprak.

    Këshilli i Evropës nga vitit 1999 ka zyrë në Prishtinë. Shumica e 47 vendeve anëtare të këtij mekanizmi, që ka buxhet vjetor mbi 800 milionë euro, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!