Kosova po zbrazet: Mijëra njerëz po ikin, shteti në gjumë

Kohëve të fundit është vërejtur një shtim i jashtëzakonshëm i numrit të të rinjve që po e braktisin Kosovën, e që shumica prej tyre po shkojnë me viza pune nëpër vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Për dallim prej ikjes masive që ndodhi gjatë vitit 2014-2015, ku mbi 100.000 qytetarë ikën ilegalisht nga Kosova drejt vendeve të BE-së, sot ky migrim po bëhet në mënyrë të rregullt duke shkuar me viza pune e ku shumica prej tyre po zbarkojnë në Gjermani.


Një portal online ka bërë një hulumtim disa ditorë rreth aplikimit dhe pajisjes me viza pune të mijëra qytetarëve anembanë Kosovës në ambasadën e Gjermanisë, Sllovenisë dhe Kroacisë.

E martë, 2 Prill, ora 15:00, Ambasada gjermane në Prishtinë

Kjo është fotografia që tregon më së miri gjendjen para ambasadës gjermane në Prishtinë, është ditë e martë, data 1 prill, ora 15:00, dita kur merren vizat e punës në ambasadën gjermane.

Disa policë të Kosovës në këtë kohë bllokojnë për automjete hyrje-daljet e rrugës që çon tek ambasada, jo për shkaqe sigurie por sepse rruga është e stërmbushur me njerëz dhe kalimi i veturave është i pamundur. Qindra të rinj janë dyndur para ambasadës duke pritur në ankth e me kokën zgjatur duke dëgjuar zyrtarin e ambasadës teksa thërret emrat e aplikantëve: Çlirim, Herolind, Shpetim, Liridona, janë disa prej qindra emrave që thërret me zë të lartë zyrtari i ambasadës.

Çlirimi, një djalë rreth të 20-tave me kujdes çan turmën e njerëzve dhe afrohet te sporteli ku i japin një zarfë të mbyllur. Në atë zarf ndodhet fati i jetës i cili do të ja përcaktojë të ardhmen e tij mbi të tashmen e zymtë dhe të pashpresë në vendin e tij. Çlirimi e hap me kujdes zarfin në të cilën ndodhet pasaporta, i shpalos fletët me kujdes, e ofron pasaportën drejt fytyrës, ai nuk ka besim as në sytë e tij. “Urime bir, ta paskan dhanë vizën”, i thotë shoku që ka në krah. Çlirimit i shkëlqejnë sytë e i buzëqesh fytyra dhe i hidhet shokut në përqafim.

Policia dhe sigurimi nuk lejojnë të filmojmë para ambasadës, por as Çlirimi nuk dëshiron të flas para kamerës. “Jo, jo mos u m’nguc të lutna se s’po du me fol, ti edhe vet pe sheh krejt po ikin mu krejt shokët më kanë shku edhe do janë tu prit me shku ma shumë mos më nguc se s’po du me fol”.

Nga turma e njerëzve duke buzëqeshur del edhe një çift i ri, jo më shumë se 25-vjeç.

Ata ecin krah për krah me njëri tjetrin me pasaporta në duar, nuk dëshirojnë të identifikohen dhe na flasin shkurt për Indeksonline.

“Arsyet janë të thjeshta këtu nuk ka perspektivë na dytë jemi inxhinierë edhe masterin e kemi të kryer dhe kemi apliku për viza pune me sistemin “Blue Card” dhe menjëherë naj kan dhanë vizat”, thonë ata.

Në pyetjen tonë se a do të kthehen për të jetuar më në Kosovë, ata me ironi shprehen “Po, po more qysh jo” dhe largohen duke qeshur me zë.

Nikson Pervorfi nga Gjakova, i cili është rreth 45-vjeç sapo ka marrë vizën ai përqafon me gëzim gruan dhe djalin që e ka rreth të 20-tave.

“Çështja e familjes me siguru një të ardhme ma të mirë, këtu kam punuar po s’ka kurgjo këtu tash ta shohim qysh po na presin gjermanët”, na tregon Niksoni.

B.I., cili nuk dëshiron të identifikohet thotë se ka punuar në bankë dhe rrogën e ka 1 250 euro por edhe ai ka vendosur ta lëshoj Kosovën sepse këtu nuk sheh të ardhme për vajzën e tij.

“Unë e kam një vajzë të vogël dhe po du me ja mundësu asaj një jetë normale, s’kem ditë me ndërtu shtet po shkoj me një shtet hazër, e dy arsyet kryesore janë arsimi dhe shëndetësia, unë kam punu 7 vjet në bankë, 1 250 euro e kam pas rrogën po me pare as s’mun e blen shnetën e as arsimin e k’tu k’to janë katastrof”.

Një burrë fytyrëngrysur del nga turma, me krahun e vendosur mbi supet e të birit të cilit i buzëqeshte fytyra teksa shikon pasaportën.

“Unë i kam 5 fmi sot rinia me humb edhe me dal jashtë për neve është tmerr, për çka jena mundue na për një të ardhme të qetyne fmive unë jam mundue me i shkollue secili e ka fakultetin e kryer qetash ma të voglin e kam n’fakultetin medicinë edhe për ta pres që ta merr vizen edhe të del jashtë. Çka je tuj pa ti sot në Kosovë a ma punëson ti mue djalin?

Indeksonline ka kontaktuar me Ambasadën gjermane për të marr informacione rreth shifrave të aplikimeve dhe vizave të lëshuara për vitin 2018 dhe gjatë këtij viti.

“Ambasada gjermane në Prishtinë në vitin 2018 ka lëshuar rreth 38.000 viza. Këtu përfshihen vizat për qëndrime afatshkurtëra (të ashtuquajturat viza Schengen për turizëm, udhëtime afariste, etj.), sikurse edhe për qëndrime afatgjata (punësim, studime, bashkim familjar etj.). Për vitin 2019 parashihet që shifrat të sillen rreth nivelit të periudhës krahasuese me vitet paraprake Ambasada gjermane vitet e kaluara i ka shtuar dukshëm kapacitetet për përpunimin e kërkesave për viza dhe do të punësojë edhe këtë vit personel në këtë sektor. Mirëpo, kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona, ashtu që kohërat e pritjes janë të pashmangshme”- thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane.

Një pamje pothuajse e njëjtë sikur te Ambasada gjermane shfaqet edhe para Ambasadës sllovene ku rreth 200 persona presin për të aplikuar për vizë në këtë ambasadë e ku shumica prej tyre janë për viza pune. Sipas kompanive të sigurimit që janë vendosur pranë ambasadës, ky numër është pothuajse çdo ditë i njëjtë i personave që vijnë për të aplikuar ose për të marrë viza pune. Shumica prej tyre nuk dëshirojnë të flasin para kamerës por pas saj thonë se arsyet se po ikin nga Kosova është se po kërkojnë një të ardhme më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre. Është interesant fakti që shumica prej tyre thonë se janë duke punuar në Kosovë si punëtor ndërtimi.

Alban Murtezi nga qyteti i Vitisë, jurist me profesion, thotë se nuk po mund ta besoj se çfarë po ndodhë me vendin e tij duke pas parasysh ikjen e gjithë këtyre njerëzve nga Kosova.

“Veç me kqyr autobusat dhe njerëzit tu prit para ambasadave, na jemi tu e fundos shtetin tonë na jemi tu e fundos popullin tonë. Me shekuj janë mundu me na shfaros e me na largu, me luftë na kanë pre na kan persekutu, por tash po na larogojnë në paqe. Na i kemi njerëzit në politikë që nuk dinë çka me vepru përpos xhepit të vet që i kanë ba milionat si Ramushi si Hashimi si Lima si Isa Mustafa janë të njejtë dhe nuk e di kush munet me kanë ai akter i këtij plani mu ma merr menja që ky plan është i Millosheviqit në vazhdimësi me Vuçiqin dhe Tadiqin. Unë nuk e di a e vret ndërgjegjia ndonjë politikan të Kosovës ose një njeri le të del i politikës le të jep dorëheqje morale të pakten nëse s’ka mujt me realize planin e vet për shtetin e vet për qytetarët e vet”.

Albani thotë se me shumë dhimbje po detyrohet ta lëshojë vendin e vet sepse është i detyruar sepse nuk po mund të gjej punë dhe këtu në Kosovë nuk po sheh të ardhme as për fëmijët e tij.

“Unë i kam tre fëmijë kam nanën, babën që janë veteran të arsimit që kanë kontribu prej viteve të 90 dhe s’e kanë l’shu Kosovën kur u dasht me ik se kanë punu pa rroga tash unë po i la pleq në shpi me vuajtje me dhimbje donmethanë kjo është tragjedi e shqiptarëve. Planifikoj mi marrë krejt me mujt edhe babën edhe nanën me ka krejt se këtu nuk ka perspektivë kjo është e dhimbshme kjo është pa koment”.

Në Ambasadën sllovene në Prishtinë nuk japin shifra rreth numrit të aplikimeve për viza dhe ato të lëshuara gjatë vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Por ajo që dihet dhe është e konfirmuar është se numri i udhëtarëve në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë që udhëtojnë për në slloveni është rritur 50% në krahasim me vitin e kaluar. Sipas informacioneve të Indeksonline nga Prishtina për në Slloveni nisen tre herë në javë nga tre autobusë.

Në orën 15:00, tre autobus vijnë nga Prizreni dhe stacionohen në Prishtinë ku dhjetëra udhëtarë, në mesin e tyre edhe fëmijë, hipin në autobusët të cilët si destinacion kanë qytetet kryesore të Sllovenisë: Lubjanë, Kooper, Celje etj.

3 Prill, Stacioni i Autobusëve në Prishtinë

Valdet Hoxha, pronar i agjensionit “Teuta Tours” thotë se numri i udhëtarëve në vazhdimësi është duke u rritur që nga viti i kaluar dhe njerëzit që po shkojnë të punojnë në slloveni vijnë nga të gjitha anët e Kosovës.

“Njerëzit janë si t’ja nisë prej Prizrenit, Komoran, Drenicë, Prishtinë, Podujevë numri u rrit sivjet për 50% ma shumë n’krahasim me vitin e kalum dhe ne për këtë kemi shtuar edhe një linjë të autobusit ditën e hënë. Duhet me ju dhanë vërejtje këtyre qeveritarëve tane me gjetë vende pune këtu se të ritë 19-20 vjeç krejt janë tu u largu”, thotë Valdeti.

Lumni Limaj nga Banja e Malishevës thotë se është kushëri i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj. Ai është shumë i zhgënjyer me situatën në Kosovë dhe ky thotë se ka vendosur ta lëshoj Kosovën për shkak se nuk sheh perspektivë në vendin për të cilin luftoj pasi që Lumniu është edhe veteran i luftës së UÇK-së.

“Unë planifikoj ni hap e përpara me dalë prej k’tuhit për arsye se punë s’ka k’tu s’kanë qare rinia pa dal e me ba jetën e vet sepse k’tu ka padrejtësi të mdhaja, edhe unë besën po jav jap kush u m’dëgjon nashta dikush më shanë s’është ai problem une për që t’dal kurr ma s’kam me u kthy krejt ka me i ndrru me komb me fe me naci me krejt, Unë jam veteran dhe e kam ni rrogë prej 170 euro po unë duhet me jetu diqysh kërkush s’mund te mbijeton me 170 euro. Unë nuk e di që ka punë n’Kosovë hala kërkush s’um thirri me m’thanë hajde Lumni Limaj se ta kam gjetë një punë”, shprehet i mllefosur Lumniu, kushëriri i Fatmir Limajt.

I pyetur se a është penduar se ka luftuar për Kosovën, Lumniu megjithatë shprehet: Jo kurrë pishman s’jam edhe nëse është nevoja prapë edhe jetën e jap për Kosovë, po kështu s’kam besu që vjen kjo ditë, nuk kam besu kështu.

Në objektin që ndodhet në rrugën e heroit të kombit “Isa Kastrati” në Prishtinë, të ngjitur trup me trup me njëri tjetrin me plotë dokumente në duar, rreth 100 persona presin në radhë për të aplikuar për viza pune për në Kroaci.

E enjte, 4 prill, Ambasada kroate në Prishtinë

Florim Qerimi nga Gjilani një burrë rreth të 40-tave thotë për Indeksonline se nuk mund të jetojë më në Kosovë pasi që është bërë shtrenjtësi shumë e madhe dhe nuk mund ta mbajë familjen me 150 euro.

“S’ka perspektivë s’ka kurgjo, pe sheh fuqia punëtore punon 5-6 muaj verës tjerat duhet me nejt diminit. Politikanët po thojnë ka punë po ka punë po vete Fatmir Limën a punon për 150 euro, ndihma s’ki shtesa s’ki kurgjo s’ki kogja është vështirë me jetu. Jeta është ba ma shtrejt se n’Gjermani po shihet çfar standarti kena m’rri, kërkush me dëshirë nuk e lëshon venin e vet edhe na kena qef me jetu këtu. Po s’ki shans as teorike me u afru në institucione të shtetit me punu po jo është veç fore se edhe me apliku aty i kryn terminet pak ma herët a po kupton”

Indeksonline ka kontaktuar edhe me ambasadën kroate për të marrë të dhëna rreth aplikimit për viza pune të kosovarëve, mirëpo ambasada nuk ka kthyer përgjigje.

Por sipas asaj që është raportuar në media ambasada kroate ka lëshuar 5 000 viza pune për këtë vit ndërsa edhe rreth 5 000 të tjera i ka në proces.

Sipas mediave kroate, Kroacia po përballet me mungesë të madhe të fuqisë punëtore pasi që edhe kroatët kanë ikur për të punuar drejt vendeve të BE-së. Për ta plotësuar mungesën e punëtorëve shteti kroat për këtë vit ka shpallur rreth 60 mijë vende të lira pune për shtetasit e huaj e ku këtë mungesë tashmë po e plotësojnë emigrantët nga Kosova.

Në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë tre herë në javë vijnë nga tre autobusë të cilët udhëtojnë drejt Kroacisë, ku shumica prej udhëtarëve janë djem të rinj nga qytete të ndryshme të Kosovës si Kamenicë, Lipjan,Viti, Gjilan, Drenas, Suharekë, Vushtrri, Mitrovicë etj.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës po e mohon se ka ikje të kosovarëve drejt vendeve të BE-së por situata në terren është krejt ndryshe me qindra fshatra anembanë qyteteve të Kosovës po braktisen nga djemtë dhe vajzat e reja. Krejt kjo pasqyrë e këtyre ikjeve nga Kosova të kujton eksodin e viteve 90, ndërsa një eksod i heshtur po ndodhë para syve të shtetit të Kosovës në kohë paqe. /indeksonline/.