Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur që tash ta bëjë asgjësimin e materialeve sensitive të zgjedhjeve lokale të mbajtur vitin e kaluar. Për këtë punë, KQZ ka hapur edhe tender.
Asgjësimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve lokale të mbajtura gjatë vitit 2021 po i kushton Komisionit Qendror Zgjedhor rreth 1 mijë e 500 euro.
Tenderin “Asgjësimi i materialit sensitiv te zgjedhjeve Lokale 2021” e ka fituar “Bajram R. Cakiqi B.I.”, derisa edhe numri i kërkesave për tërheqje të dosjes së tenderit ishte vetëm një, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Numri i tenderëve te pranuar: 1. Numri i tenderëve të përgjegjshëm: 1. Emri zyrtar i fituesit të tenderit Bajram R. Cakiqi B.I… Adresa Postare: ISA KASTRATI,P.N”. Vlera e përgjithshme e kontratës 1 498,20 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur në KRPP.
Kontrata mes kompanisë fituese dhe KQZ-së është nënshkruar gjatë ditës së djeshme, më 28.03.2022. /Reporteri.net/.
