Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shpallë nesër rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 7 qershor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se mbledhja e radhës e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të mbahet të shtunën, më 27 qershor 2026, duke filluar nga ora 11:00.
“Ju njoftoj se të shtunën (27 qershor 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor”, ka deklaruar Elezi.
Sipas rezultateve përfundimtare që pritet të shpallen, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dalë forca e parë politike me 382,869 vota ose 47.13 për qind, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend.
E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 157,892 vota ose 19.44 për qind, që i sigurojnë 22 ulëse.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 135,567 vota ose 16.69 për qind, duke fituar 18 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 54,729 vota ose 6.74 për qind, që përkthehen në 7 ulëse në Kuvend.
Me shpalljen e rezultateve përfundimtare pritet të përmbyllet procesi zgjedhor, pas numërimit të votave të rregullta, votave me kusht dhe atyre nga diaspora. Pas kësaj, KQZ-ja do të procedojë me certifikimin e rezultateve, duke i hapur rrugë konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.