×
  • Lajme
  • Lajme

    Kriptovalutat do të ndalohen edhe në veri, një e tillë harxhon rrymë sa 19 shtëpi

    Reporteri
    06 Janar 2022 | 18:46

    Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të identifikojë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë territorin e shtetit.

    Zyra për media e Qeverisë ka njoftuar se pas identifikimit do të ndërpritet prodhimi i kriptovalutave, duke përfshirë edhe në veriun e Mitrovicës.

    “Organet e rendit dhe të drejtësisë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante të sektorit të energjisë, do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë Republikën e Kosovës dhe do ta ndërprenë këtë aktivitet. Veriu i vendit do të trajtohet njëjtë si gjithë pjesa tjetër e territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje për Radio Evropa e Lirë.

    Qeveria, megjithatë nuk ka thënë se si do të identifikojë këto lokacione.

    Lidhur me vendimin për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në gjithë vendin, Qeveria e Kosovës ka thënë se vendimi është marrë duke u bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

    “Komiteti Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë” ka dhënë disa rekomandime, dy prej të cilave kanë hyrë në fuqi përmes vendimit të datës 31 dhjetor 2021. Ky vendim ka përshirë rekomandimet e Komitetit Teknik për ndërprerjen e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe rekomandimin teknik në lidhje me shfrytëzimin e energjisë së ofruar nga Republika e Shqipërisë për festat e fundvitit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës për Telegrafin.

    Më tej Qeveria ka theksuar së në vitin 2021 është rritur konsiderueshëm konsumi i energjisë elektrike, dhe se një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit, ku për shkak të mospagesës së energjisë elektrike, prodhimi i kriptovalutave konsiderohet të jetë më i larti në vend.

    “Prodhimi i kriptovalutave shpenzon sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike. Sa për ilustrim, prodhimi i një kriptovalute, duke marrë parasysh shifra konzervative, konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit. Kjo pa marrë në konsideratë edhe faktorët e pajisjeve më të specializuara të cilat përpunojnë të dhënat më shpejtë dhe rrjedhimisht konsumojnë më shumë energji, hapësirat e mëdha dhe pajisjet për t’i ftohur pajisjet të cilat punojnë gjatë gjithë kohës etj. I gjithë ky proces shpenzon energji elektrike enorme, importi i të cilës aktualisht është duke u subvencionuar pjesërisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Për më shumë, kjo veprimtari nuk shpie tek punësimi i fuqisë punëtore, si dhe prodhuesit e kriptovalutave nuk paguajnë taksa për këtë aktivitet në Republikën e Kosovës, pasi kjo veprimtari nuk është e rregulluar me ligj”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Qeveria ka bërë të ditur se Komiteti Teknik duke marrë parasysh faktet e lartëcekura dhe situatën vendore të shkaktuar nga kriza botërore energjetike, i ka rekomanduar Ministres së Ekonomisë të marrë vendim për ndërprerje të aktivitetit në fjalë.

    “Pas rekomandimeve të Komitetit Teknik, Ministrja Rizvanolli ka marrë vendim për masa emergjente për t’u përballur me krizën e energjisë ku ndalohet prodhimi i kriptovalutave në vend. Identifikimi i lokacioneve të prodhimit si dhe ndërprerja e këtyre aktiviteteve do të bëhet nga ana e organeve të rendit dhe të drejtësisë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante të sektorit të energjisë. Vendimi për masa emergjente për t’u përballur me krizën e energjisë mbetet në fuqi deri në marrje të vendimit të ardhshëm, bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik kur vlerësohet që situata energjetike është stabilizuar, i cili shfuqizon paraprakun”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Telegrafin.

    Për vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, kanë shkruar edhe mediat botërore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!