×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeministria del me deklaratë, njofton për takimin e Kurtit me pesëshen diplomatike

    Reporteri
    20 Janar 2023 | 17:14
    Takimi i kryeministrit Kurti me 5-shen diplomatike në Prishtinë. 20.01.2023.

    Kryeministria ka dalur me një deklaratë ku ka njoftuar për takimin që kryeministri Kurti zhvilloi sot me pesëshen diplomatike, takim ky që zgjati më tepër se dy orë.

    Në Prishtinë, paraditen e sotme i shkuan në zyrë Kurtit përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, të dërguarit e Gjermanisë dhe Francës, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, i dërguari i Italisë, Francesco Maria Talò dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Nga ZKM bëjnë të ditur se në takim u fol për propozimin e ashtuquajtur “franko-gjerman” të BE’së, të cilën Kurti e ka konsideruar si bazë të mirë për marrëveshje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.

    Përfundon takimi i Kurtit me 5 diplomatët, Lajçak: Kemi pritur mirëkuptim më të madh për propozimin e BE-së

    Në takim u fol edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që kryeministria e cilësoi si diskutim për të drejtat e pakicave. Asociacioni është prej kushteve që ndërkombëtarët po bëjnë më së shumti presion që të formohet.

    Këtu bëhet e ditur se kryeministri Kurti ka thënë se i ka parasysh të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë.

    “U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gusht 2022 në Bruksel”.

    “Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike”, thuhet tutje.

    Ndër të tjera, Kurti i ka njoftuar diplomatët për zhvillimet në Kosovë nën qeverisjen e tij. /Reporteri.net/.

    Komunikata e plotë:

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi u takua sot me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Kjo është hera e dytë që kryeministri Kurti priti në takim këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri, Plötner dhe Bonne, pas takimit të parë më 9 shtator 2022. Kësaj radhe atyre iu bashkëngjitën edhe këshilltari diplomatik i Kryeministres së Italisë, Talò dhe emisari amerikan, Escobar. Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër. U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gusht 2022 në Bruksel. Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike.

    Ai i njoftoi emisarët për të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që lamë pas në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin demokratik dhe ekonomik, si dhe për aplikimin e Kosovë në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar dhe në Bashkimin Evropian në dhjetor, si hapa historik për Kosovën.

    I falënderoi të gjithë emisarët dhe vendet e tyre për përkushtimin dhe angazhimin në procesin e dialogut dhe rrugën përpara, duke shprehur gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit.

    Pas këtij takimi, emisarët udhëtuan për në kryeqytetin e fqinjit verior të Republikës së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!