×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus 2 / Hagë
    INSTANT

    Kryeprokurorja West: Thaçi krijoi grupe për pengimin e drejtësisë, u kap me shumë orë incizime

    Reporteri
    10 Shtator 2026 | 10:55

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës nisi sot dhënia e deklaratave përmbyllëse të palëve në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Gjykatësi i vetëm, Christopher Gosnell në urdhrin e lëshuar ka theksuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka tri orë në dispozicion për fjalën përfundimtare, ndërkaq ekipet e mbrojtjes nga 45 minuta deri në dy orë.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

    Në fjalën e saj, kryeprokurorja, Kimberley West, tha se ky proces njëkësisht është i lehtë, por edhe I vështirë.

    “Kjo është një çështje gjyqësore sa e thjeshtë, po aq e komplikuar. Nga një anë, kemi çështjen për një person i cili po përballet me akuza të rënda dhe mundësinë për t’u dënuar me një kohë të gjatë. Bashkë me bashkëpunëtorët e tij, u përpoq ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve, dhe u kap. U kap me shumë orë incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë. Nga ana tjetër, kjo na kujton se sa vigjilentë duhet të jemi vazhdimisht, sepse është e nevojshme të mbrojmë integritetin e procesit kundër atyre që përpiqen ta devijojnë atë, dhe dispozita të rëndësishme që na mbrojnë ndaj një korrupsioni të tillë”.

    Shefja e organit të akuzës pretendon se gjithë pengimin e drejtësisë Thaci e bëri me anë të disa grupeve.

    “Të përballesh me akuza, përfshirë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, dhe duke qenë në paraburgim pjesërisht për shkak të rrezikut të pengimit, Hashim Thaçi udhëzoi të bashkëakuzuarit, shokët e devotshëm, loyalistët e patundur dhe ish-vartësit që të shënjestronin dëshmitarë, dëshmia e të cilëve sipas tij, ishte vendimtare për përfundimin e kësaj çështjeje gjyqësore për krime lufte. Duke mos respektuar urdhrat e gjykatës dhe garancitë ligjore që synonin pikërisht mbrojtjen e integritetit të dëshmitarëve dhe provave të tyre, Thaçi formoi grupe të vogla me të bashkëakuzuarit, të cilët kishin njohje me dëshmitarë të caktuar. Synimi i tyre ishte të bënin dëshmitarët në mënyrë të tillë që të pajtoheshin me dëshirat e Thaçit për mënyrën se si duhej të ishte dëshmia e tyre.

    Me muaj e muaj të tërë, Thaçi vazhdimisht udhëzoi të bashkëakuzuarit gjatë vizitave në objektin e paraburgimit. Ai u tha atyre se çfarë duhet të thonin dëshmitarët ose të mos thonin, në mënyrë që të zbehte ose hiqte tërësisht fajësinë e tij. Ai dha udhëzime të hollësishme sa i takon hierarkisë së UÇK-së, në veçanti se kujt i duhej atribuar autoriteti në vend të Thaçit, strukturën e UÇK-së, për të zbehur nocionin se UÇK-ja ishte një organ i organizuar pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe se Thaçi ishte një figurë komanduese. Thaçi gjithashtu udhëzoi lidhur me praninë apo mospraninë e tij në vende dhe kohë të ndryshme, përfshirë identifikimin e tij…

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës./KP

    Fjalët përmbyllëse për rastin e ndërhyrjes në drejtësi – Thaçi i vetëm në sallë, të tjerët me videolidhje

    Reporteri
    10 Shtator 2026 | 10:37

    Ka nisur seanca në Gjykatën Speciale për rastin e dytë ku akuzohet ish-presidenti Hashim Thaçi për ndërhyrje në drejtësi.

    Në sallën e gjyqit ndodhet vetëm ish-presidenti Thaçi, derisa Hajredin Kuçi, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë të kyçur përmes video-lidhjeve.

    Në seancë do të jepen deklarimet përmbyllëse. Prokuroria Speciale do të flasë e para, pastaj mbrojtja e Hashim Thaçit dhe me radhë.

    Caktimi i deklaratave përmbyllëse shënon përfundimin e paraqitjes së argumenteve të palëve në këtë proces gjyqësor, para se gjykatësi të marrë vendimin për rastin.

    Sipas dosjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, veprat penale të paraqitura në aktakuza kanë lidhje me proceset zyrtare të Dhomave të Specializuara, përfshirë këtu hetimet e Zyrës së prokurorit të specializuar.

    Aktakuza thotë se së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, Thaçi zbuloi informacion të fshehtë që i ishte bërë i njohur në gjykimin e tij, dhe së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Hajredin Kuçin, bashkërenduan për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

    Sot nis shpalosja e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër Thaçit për pengim të drejtësisë

    Reporteri
    10 Shtator 2026 | 8:22

    Në Gjykatën Speciale gjatë ditës së sotme do të mbahen deklaratat përfundimtare në çështjen Thaçi dhe të tjerve, në lidhje me akuzat për administrim të drejtësisë

    Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Gjykatësi i Vetëm ka vendosur që deklaratat përmbyllëse në çështjen “Prokurorja e Specializuar kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit” të jepen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026, duke filluar nga ora 09:30

    Caktimi i deklaratave përmbyllëse shënon përfundimin e paraqitjes së argumenteve të palëve në këtë proces gjyqësor, para se Gjykatësi i Vetëm të marrë vendimin për rastin.

    Sipas dosjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, veprat penale të paraqitura në aktakuza kanë lidhje me proceset zyrtare të Dhomave të Specializuara, përfshirë këtu hetimet e Zyrës së prokurorit të specializuar.

    Aktakuza thotë se së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, Thaçi zbuloi informacion të fshehtë që i ishte bërë i njohur në gjykimin e tij, dhe së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Hajredin Kuçin, bashkërenduan për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!