×
  • Lajme
  • Lajme / Aktakuza

    Kryeshefi i KRU “Gjakova” i arrestuar në Bullgari për trafikim me njerëz, me aktakuzë të ngritur edhe në Kosovë

    Reporteri
    01 Mars 2024 | 13:36

    Ndaj kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqit, i cili është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore, më 2023 ishte ngritur aktakuzë ndaj tij edhe nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Prokuroria Themelore e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë kundër Hasan Krasniqit, kryeshef i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

    Krasniqi kishte ardhur në krye të KRU “Gjakova” vetëm pak muaj pasi kishte kandiduar në zgjedhje si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, konkretisht partnerit të koalicionit, Alternativës së Mimoza Kusarit.

    Kryeshefi Krasniqi dhe fqinji i tij ishin përfshirë në një sulm fizik më 31 maj të vitit 2023. Ndaj fqinjit të tij, Besnik Sharani, ishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

    Gazeta online Reporteri.net sot raportoi ekskluzivisht se arrestimi i Krasniqit ka ndodhur qysh me 19 shkurt 2024. Ai u kap nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi, ish-kandidati i LVV-së për asamblenë Komunale të Gjakovës rezultoi se kërkohet ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

    Atij, një gjykatën e qarkut bullgare, më 22 shkurt 2024, i ka caktuar masën e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tri vepra të ndryshme penale.

     

    Njeriu i VV’së, kryeshef në KRU “Gjakova” arrestohet në Bullgari – kishte urdhërarrest ndërkombëtar për trafikimin e njerëzve

    Kryeshefi i KRU “Gjakova” dyshohet për tri vepra penale “lehtësimi i migrimit ilegal me bashkëpunim”, “përdorimi i dokumenteve false” dhe “falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga një person privat”, merr vesh gazeta online Reporteri.net.

    Atij, me kërkesë të Prokurorisë së Qarkut Kyustendil në Bullgari, një Gjykatë e Qarkut bullgare, më 22 shkurt 2024, i ka caktuar masën e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali./Reporteri.net/.

    Këto janë tri veprat penale për të cilat Italia po e kërkon ekstradimin e kryeshefit të KRU “Gjakova”, i arrestuar me urdhërarrest ndërkombëtar

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!