Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur të martën mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe hapat e ardhshëm të partisë.
Sipas komunikatës së PDK-së, gjatë mbledhjes Kryesia i ka dhënë mirënjohje Grupit Parlamentar të PDK-së për angazhimin e tij në mbrojtje të Kushtetutës, rendit juridik dhe vlerave demokratike në vend.
Në komunikatë thuhet se Kryesia e PDK-së ka vlerësuar se janë evidentuar shkelje të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës.
“Shkeljet e tilla paraqesin cenim të vetë themeleve të shtetit të Kosovës si shtet demokratik dhe parlamentar”, thuhet në komunikatë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se mbrojtja e Kushtetutës, institucioneve dhe rendit demokratik është përgjegjësi e përbashkët.
Hamza ka thënë se PDK-ja mbetet e vendosur në përmbushjen e këtij obligimi.
Në fund, Kryesia e PDK-së ka bërë të ditur se do të vazhdojë t’i përcjellë me vëmendje zhvillimet politike në vend dhe do të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme për mbrojtjen e kushtetutshmërisë, demokracisë dhe parlamentarizmit në Kosovë.