Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar lidhur me kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend, duke thënë se ky ligj nuk kishte dhe nuk do të ketë asnjë efekt juridik.

Në reagimin e tij, Abdixhiku ka kritikuar gjuhën e përdorur ndaj LDK-së për qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje.

“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini? Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!”

Reklamë

“LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës”, ka shkruar ai.

Abdixhiku u është drejtuar edhe mbështetësve të partisë, duke u bërë thirrje që të qëndrojnë krenarë për qëndrimet e LDK-së.

“Mbështetësve tanë u themi qëndroni gjithmonë krenarë! Mund të na sulmojnë nga të gjitha anët, por qëndrimet e LDK-së i kanë qëndruar provës së historisë. Do t’i qëndrojnë sërish! Sepse ato nuk përcaktohen nga vërshimet e momentit, por nga bindjet mbi Republikën. Veç duhet kohë. Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu”, shkroi kreu i LDK-së.