×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Kundërshtimet e ashpra të opozitës për caktimin e tavanit për produktet esenciale, çka u tha në Kuvend?

    Reporteri
    20 Tetor 2022 | 20:49

    “Projektligji për çmimet tavan është jokushtetutes”, ka qenë konkluza e opozitës si e tërë për ta kundërshtuar projektligjin e propozuar nga Qeveria që synon të vendosë çmimet tavan për produkte esenciale. Poqë s’kaloi – pasi kuorum nuk kishte, të enjten.

    Neni 10 i Kushtetutës së Kosovës e definon ekonominë e vendit si e tregut të lirë dhe neni i 119 mbron po të njëjtin parim. E si bazament i ekonomisë së tregut është konkurrenca – opozita aludoi se ai projektligj e cenon rivalitetin në treg mes kompanive.

    Por arsyetimi i projektligjit të ekzekutivit ishte se ka krizë dhe manipulime në treg – rrjedhimisht duhet “intervenim i shtetit” – për ta penguar rritjen e mëtejme të çmimeve.

    “Marzha e shitjes me pakicë varion nga 8 deri në 45 për qind, ndërkaq në shitjen me shumicë marzha tregtare varion nga 10 deri në 56 për qind”, ka thënë Rozeta Hajdari, minister e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Teksa ka prezantuar projektligjin ka listuar edhe produktet të cilat do të kenë çmim tavan e që janë drithërat, mielli, gruri, buka orizi, pastat, vaji ushqimor i lule diellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët pule, mish i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës, lëndës e drurit për djegie.

    Pikërisht këto produkte gjenden më së shumti në mini-markete për të cilat Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se janë rrezik që të falimentojnë.

    “E pasni bo një ligj me i mbyllë këto minimarkete, e tregtarë të vegjël nëpër Kosovë. Shqetësues jashtëzakonisht që qeveria si mjet primar për krizë i konsideron intervenimet në treg. Ekonominë e lirë me këtë ligj po doni me e thy. Nuk e di qysh e arsyetoni një gjë të tillë, as për një javë nuk mundeni, e lëre më pa afat”, ka deklaruar Krasniqi.

    Pos tij kritik ka qenë edhe lideri tjetër opozitar, Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

    “Një shpi të padijshëm” e ka cilësuar Qeverinë Kurti.

    “Me këtë ligj sa për llogaritje do t’i dëmtoni mijëra dyqane të vogla nëpër fshatra që 90 për qind të produkteve i kanë bazike. Ata keni me i marrë në qafë. Kemi praktikantë në Qeveri ky është problemi i Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

    Të njëjtin diskurs e ka pasur edhe kolegu i tij në parti, Avdullah Hoti.

    “Do të shkatërrohet konkurrenca e lirë dhe nuk do të arrihet qëllimi që e ka ky projektligj”, ka deklaruar Hoti teksa ka shtuar se vetëm tregtarët e vegjël do të dëmtohen më së shumti.

    Por ekzekutivi beson se projektligji nuk i dëmton operatorët ekonomikë, pasi sipas tyre, marzha e fitimit është shumë e lartë.

    “Qeveria ka sjell një ligj i cili e targeton problemin me abuzime të çmimeve. Opozita tha sot se nuk bën ta kemi një ligj të tillë. Si alternativë po propozohet të hiqet TVSH-ja. Partitë opozitare nuk e kanë hallin që kompanitë po abuzojnë me çmime, por të hiqet TVSH-ja. Ne me këtë ligj propozojmë çmime tavan dhe e kemi parë që funksionon”, ka thënë Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Trasnfereve.

    E Muratit iu sugjerua nga Abdixhiku “që të shkojë në shpi”, pasi që ky i fundit marzhën e llogari gabim sipas opozitës, duke i larguar shpenzimet shtesë që kompania ka një product pos blerjes në zhinxhirin me pakicë.

    “Nuk e kupton ministri i Financave, e aq më pak kryeministri i tij, që në momentin e parë që ai produkt futet në doganë qysh në start i merr 20 centë prej këtyre TVSH. Dhe më pas ka kosto të operimit, të punëtorëve, të punës, qirasë, shpërndarjes. Një ministër i Financave si ky duhet m’i marrë letrat me shku në shtëpi. Kjo është tragjedia e këtij vendi. Një shtëpi e paditur në Qeveri”, ka thënë Abdixhiku.

    Ndaj Muratit keqardhje ka shprehur edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se “Murati ka më vite shumë shkollë në ekonomi sesa vite në VV”.

    “Qysh bre ministër vendoset marzha, a e din isa shpenizme ka biznesi”, i ka thënë Bajrami – Muratit.

    Në anën tjetër, Besnik Tahrii, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se projektligji është kundërkushtetutes dhe e cenon rëndë ekonominë e tregut.

    Por Murati tha se nuk është argument ekonomia e tregut kundër këtij projektligji.

    Megjithatë, Bajrami i LDK-së i tha Muratit se ka shumë mekanizma ligjorë që mund t’i ndërmerrni për t’i ndëshkuar spekulatorët e tregut.

    “Qysh po mendoni me i monitoru këto çmime ku i keni vetëm 15 inspektorë të trashëguar”, ka thënë Bajrami

    Ndërkaq ministrja Rozeta Hajdari ia kthehu se “këtë e kanë të trashëguar”.

    Në fund projektligji nuk është hedhur në votim, pasi vetëm 58 deputetë ishin në sallë për të votuar – opozita s’voto fare.

    Mbi 64 mijë biznese janë të regjistruara në Kosovë.

    Por raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën në vitin 2022 thotë se “shumica e bizneseve në Kosovë minore”, pjesa më e madhe e tyre punësojnë më pak se 10 punëtorë.

    Rrjedhimisht, s’janë konkurruese në tregun mbi-nacional. Për këtë Kosova ka deficit tregtar, ku tregu është i pushtuar nga produktet e huaja, ndërkaq eksportet janë të pakta, përkundër se ka rritje si vlerë nominale./Express

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!