×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Autokracia e Vuçiqit nuk mund të dalë nga nacional-shovinizmi i Millosheviqit

    Reporteri
    12 Mars 2024 | 13:12

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shfrytëzuar 25-vjetorin e padisë së Alexandar Vuçiqit ndaj Haqif e Haki Mulliqit, për të insistuar se autokracia e Vuçiqit nuk mund të largohet nga nacional-shovinizmi i Slobodan Millosheviqit dhe nga e kaluara gjenocidale e Serbisë.

    Kryeministri Kurti ka sqaruar se më 12 mars 1999, ministri për Informim i Millosheviqit, Vuçiqi kishte ngritur padi ndaj revistës “Kombi” dhe redaktorit përgjegjës, Haqi Mulliqi dhe botuesit Haki Mulliqi, për shkelje të Ligjit të tij diskriminues mbi informimin publik.

    “E ky ligj impononte të dëgjuarit e lëndës nga gjykata brenda 24 orësh, përfundim të lëndës brenda 24 orësh, e shpesh mbaronte edhe me konfiskim të pronës”, shkruan Kurti.

    “29 dhjetor 1998, Aleksandar Vuçiq deklaron: ‘Shqiptarët do ta ndryshojnë politikën e tyre editoriale, por këtë nuk e dinë ende’. Padia e tij gjyqësore ndaj vëllezërve Haqif e Haki Mulliqi ishte zyrtarizim i kërcënimit të tij publik ndaj shqiptarëve. Ndalohej fjala e lirë dhe zëri i shqiptarëve për liri, represioni i ushtruar ndër vite e dekada kulmoi me gjenocidin dhe spastrimin etnik gjatë viteve 1998-99”, ka shkruar ai.

    “Informimi i lirë dhe i drejtë në ato vite përbente krim për ministrin e atëhershëm të informimit, Vuçiq. E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë vazhdoi të mohohet edhe për dy dekada e gjysmë në vazhdim. Si president i Serbisë, Vuçiq më 5 dhjetor 2019 mohoi publikisht krimet e masakrat ndaj shqiptarëve, duke e cilësuar masakrën e Reçakut si fabrikim”, ka shkruar Kurti.

    Sipas kryeministrit, nuk është rastësore që Serbia e udhëhequr nga ai, në raportin vjetor të organizatës për lirinë në botë, “Freedom House”, ka rënien më të madhe në Evropë në kategorinë e të drejtave politike dhe lirive të qytetarëve.

    “Ministri i Millosheviqit, tani President, vazhdon me kontrollin e ashpër ndaj mediave dhe ndalimin e çdo zëri të lirë në Serbi. Mbase: një herë ministër i informimit, përgjithmonë ministër i informimit”, ka shkruar ai.

    Kurti ka shkruar se Sllavko Quruvija u vra më 11 prill 1999, kurse të gjithë të akuzuarit për vrasjen e tij u liruan nga gjykatat serbe më 2 shkurt 2024. “Rast unik në botë është ky”, thoshte atëbotë Brajan Fillips, koordinator i shoqatës së juristëve për Evropën Qendrore dhe Lindore, kur fliste për rastin e nisur nga shteti kundër revistës së Sllavko Quruvija, të quajtur “Evropiani” më 1998.

    “Një autokraci si kjo e Aleksandar Vuçiq, nuk del dot nga nacional-shovinizmi i Millosheviqit dhe e kaluara e zymtë gjenocidale e Serbisë. Një zymtësi që korrespondon me atë që kishte potretizuar gazetari i pavarur Quruvija në ballinë të revistës së tij më 1998: ‘Ndjellësit e frikës’”, ka shkruar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!