×
  • Lajme
  • Lajme / Harxhimet në 2023'ën

    Kurti dhe kabineti i tij vjet i shpenzuan gati 250 mijë euro për dreka e udhëtime – Qeveria provoi t’i fsheh shifrat, deri kur ndërhyri AIP-i

    Autor:Linda Ibrahimaj
    15 Shkurt 2024 | 20:10

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kabinetin e tij, për periudhën njëvjeçare të vitit 2023 kanë shpenzuar në total 241 mijë e 998 euro.

    Sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta Online Reporteri.net, përmes qasjes në dokumente publike, për periudhën janar-dhjetor 2023, kabineti i kryeministrit të Kosovës më së shumti para ka shpenzuar në “Organizimet e kabinetit të Kryeministrit, ku përfshihen edhe drekat e punës/zyrtare”. Vlera e shpenzimeve nga buxheti i shtetit për këto aktivitete kap shifrën e 114 mijë e 140 eurove.

    Bazuar në këto të dhëna, kryeministri Kurti më së shumti ka shpenzuar për bileta të udhëtimeve. Vlera e tyre kap shifrën 14 mijë e 226 euro. Derisa stafi i tij politik, po për aviobileta, shpenzoi 47 mijë e 370 euro nga buxheti i shtetit.

    12 mijë euro kreu i Qeverisë i shpenzoi për akomodim jashtë vendit, derisa shuma e harxhimeve të stafit të tij po në këtë kategori kap vlerën e 23 mijë e 883 eurove.

    Shpenzimet për mëditje në udhëtimet zyrtare të stafit politik të kryeministrit Kurti arrijnë vlerën e 16 mijë e 183 euro.

    Derisa për kryeministrin Kurti, në të dhënat zyrtare për shpenzimet që i ka përcjell Zyra e Kryeministrit të Kosovës tek Gazeta Online Reporteri.net, nuk evidentohet ndonjë shumë e shpenzuar për këtë kategori.

    Sipas këtyre të dhënave, Kurti bashkë me stafin e tij shpenzuan 14 mijë e 186 euro për karburante të veturave për periudhën njëvjeçare janar-dhjetor 2023.

    Gazeta Online Reporteri.net bazuar në nenin 10 të paragrafit 1 të Ligjit NR.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, me datë 26 dhjetor 2023, kishte kërkuar nga Zyra e Kryeministrit të gjitha shpenzimet e kryeministrit Kurti dhe kabinetit të tij për periudhën janar-dhjetor.

    Duke mos marrë asnjë lloj konfirmimi e përgjigje nga ana e ZKM-së, mediumi, me datë 9 janar 2024 i është drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi, për të parashtruar ankesë ndaj institucionit në fjalë, ZKM-së.

    Pas më shumë se një muaj nga ankesa e bërë, AIP pas shqyrtimit, me 12 shkurt, ka njoftuar se i ka përcjellë një shkresë njoftuese Qeverisë së Kosovë, brenda së cilës janë kërkuar arsyetime rreth heshtjes ndaj qasjes në dokumente publike të kërkuar nga Gazeta Online Reporteri.net.

    Qeveria e Kosovës, tek të enjten, me 15 shkurt 2024, pavarësisht kërkesës dhe ankesës në AIP, mesditën e sotme ka dërguar në adresën e Gazetës Online Reporteri.net, vetëm një tabelë ku janë përllogaritur nga ta shpenzimet e kryeministrit Kurti dhe kabinetit të tij, duke mos i bashkangjitur si dëshmi faturat e shpenzimeve të tyre. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!