Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë ekspozesë së të tij në Kuvend para votimit të Qeverisë Kurti 3, ka komentuar procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Ai e ka cilësuar kërkesën e Prokurorisë së Hagës për 180 vjet burgim ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së si të padrejtë dhe në kundërshtim me të vërtetën historike.

“Këto ditë po zhvillohen senacat e fundit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimi. Pretendimet e Prokurorisë për dënim prej 45 vjetësh për secilin, duke përfshirë pretendime për krime kundër njerëzimit, janë përpjekje që bien ndesh me të vërtetën dhe mohojnë kontekstin historik dhe politik të luftës sonë çlirimtare”, tha Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Reklamë

Ai theksoi se qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është i qartë: “Në Kosovë janë kryer krime kundër popullatës civile shqiptare, të cilat i ka kryer regjimi i Jugosllavisë nën Millosheviq. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i papranueshëm, një shtrembërim faktik e historik.”