×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti e pranon se çmimet janë të papërballueshme: Kriza me energjinë elektrike do të zgjasë përtej dimrit

    Reporteri
    19 Janar 2022 | 15:40

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mbajtën konferencë për media lidhur me krizën energjetike dhe paralajmërimit për shtrenjtim të saj, shkruan Reporteri.net.

    Kurti tha se Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE), ka ngritur nevojën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ai gjatë konferencës për media pohoi se çmimet e reja do të jenë të papërballueshme, megjithatë ka thënë se Qeveria e Kosovës do t’i ndihmojë. Sipas tij, 75 milionë euro për subvencionimin e qytetarëve dhe bizneseve që preken nga tarifat e larta.

    “Ligjëritsht ZRRE-ja dhe Bordi i saj janë të pavarur dhe nuk mund të ndikohen nga Qeveria. Me vite janë mbajtur kosto fiktive për qëllime elektorale, për më tepër janë larguar masat siç janë bllok tarifat. Heqja e bllok tarifave ka qenë gabim shumë i madh dëmet të cilat i kemi ndjerë tani, kjo krizë vetëm sa ka thelluar atë që po paguajmë. Fatura që po paguajmë është ajo e mosveprimit të mëse 2 dekadave në zhvillimin e qëndrueshëm të furnizimit me energji elektrike. Në të njëjtën kohë jemi duke ndjerë vjetërsinë e termocentraleve. Në vend se të investohet në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qëndrore kanë bërë ndërtimin e mijërave banesave që varen nga energjia elektrike. Për të kufizuar nivelin e dëmeve që këto praktika kanë shkaktuar, Qeveria ka shprehur gatishmërinë të vë në dispozicion 75 milionë euro për subvencionim në sektorin e energjisë. Për të siguruar që konsumatorët familjarë që konsumojnëd deri në 600 kilovat në orë për mua dhe të gjithë konsumatorët biznesorë të mos kenë rritje tarife”, u shpreh Kurti.

    Kurti ka kritikuar qeveritë e kaluara për mungesë të investimeve e keqpërdorime.

    “Edhe pse në KEK nga paslufta ka investuar më shumë se 1 miliard euro, gjendja e kapaciteteve prodhuese është e njëjtë si ajo kur dolëm paslufta. Në këto investime po të mos vjedhej pamëshirshëm, siç është bërë me tenderë të shumtë, sot gjendja e KEK-ut do të ishte ndryshe se nuk dot ë kishte rënie të vazhdueshme të blloqeve siç po ndodh”, ka thënë Kurti.

    Ai ka shtuar se po të ishte bërë rindërtimi i Kosovës A apo të ishte investuar në kapacitete të reja, kjo krizë do të mund të ishte shfrytëzuar nga Kosova për të pasur përfitime duke eksportuar energji.

    Ai ka thënë se do të shpallen ankandet e para për ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!