×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Energjia sot është bërë kryefjalë e politikës dhe gjeopolitikës

    Reporteri
    12 Janar 2022 | 19:54

    Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, u pritën nga akademiku Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave Akademik, akademike Justina Pula, nënkryetare dhe anëtarët e AShAK-ut, shkruan Reporteri.net.

    Në pritjen e sotme, Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për kontributin dhe rolin historik e kulturor, por gjithnjë edhe politik e akademik të anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).

    “Ne besojmë se progresi socio-ekonomik, jeta e dinjitetshme e qytetarëve në Republikë, varet sa nga demokracia, përfaqësimi e vendimmarrja me integritet e kompetencë, po ashtu edhe nga konsiderata e pazëvendësueshme për shkencën”, tha kryeministri Kurti. Në këtë fushë për shkencën, por në të tjerat edhe për artin e kulturën, shtoi ai.

    Gjatë takimit u potencua interesimi i Qeverisë dhe AShAK-ut, për bashkëpunim të ngushtë. Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit jo vetëm në sektorin e energjisë, por edhe në fusha të tjera.

    Ai veçoi rëndësinë  e qëndrueshmërisë së furnizimit dhe konsideratën gjeopolitike, meqë energjia sot është bërë kryefjalë e politikës dhe gjeopolitikës, jo vetëm në vendin tonë.

    “Duhet të kemi parasysh konsideratat mjedisore, meqenëse siç thotë një fjalë e urtë, të tashmen e kemi jo vetëm trashëgimi nga paraardhësit tanë, por në një farë mënyre edhe hua nga brezat e ardhshëm, për shkak se çfarëdo që bëjmë ne, kemi kosto për brezat që do të vijnë pas nesh”, tha kryeministri Kurti.

    Në këtë takim, akademik Fejzullah Krasniqi, prezantoi raportin e AShAK-ut për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, një dokument për analizën dhe sugjerimet për zhvillimet e ardhshme në sektorin e energjisë. U theksuan të gjeturat e raportit për opsionet për furnizim të qëndrueshëm e me çmim të arsyeshëm për konsumatorët.​

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!