×
  • Lajme
  • Lajme / Komunikata

    Kurti fton Japoninë për investime në Kosovë, ambasadorit i flet edhe për sulmin terrorist të nxitur nga Beogradi

    Reporteri
    02 Tetor 2023 | 20:23

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi, me të cilin krahas zhvillimeve të fundit në vend, sulmit terrorist ndaj Kosovës të dielën e 24 shtatorit, dhe situatës së sigurisë, folën për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe mënyrat për thellimin e tyre.

    Kurti ia ka numëruar ambasadorit japonez të gjitha dëshmitë që kanë mbledhur institucionet e sigurisë në Kosovë për lidhjen e Beogradit me sulmin terrorist të 24 shtatorit, për çka ai ka kërkuar që Serbia të dënohet publikisht dhe të sanksionohet, shkruan Reporteri.net.

    “Gjithashtu [Kurti] e njoftoi [Mizuuchi-n] edhe për lëvizjet ushtarake të Serbisë tash së fundmi në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës dhe kërcënimin që paraqesin gjithsej 48 baza ushtarake të përparme të Serbisë përreth kufirit me Kosovën. Ai theksoi për këtë sjellje dhe këto veprime, që synim kanë destabilizimin, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonin, Serbia duhet të sanksionohet nga komuniteti ndërkombëtar, përveçse dënohet publikisht”, bën të ditur komunikata e ZKM’së.

    Në kuadër të bisedës për raportet bilaterale, siç përcjell komunikata, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë dhe bashkëpunimit në një numër fushash, përfshirë atë të ambientit, arsimit, shëndetësisë, pylltarisë, menaxhimit të fatkeqësive natyrore, e deri te fusha e mbrojtjes e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

    “Duke folur për raportet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare, kryeministri tha se Kosova mirëpret investimet e huaja dhe ftoi investitorët japonezë që të eksplorojnë mundësitë që ofron Kosova, përfshirë projektet infrastrukturore”, thuhet në fund. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!