Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për telefonatën që sot kryeministri Kurti kishte me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në njoftim bëhet se në këtë bashkëbisedim u diskutua për domosdoshmërinë për deeskalim të situatës në katër komunat veriore të Kosovës dhe për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë përmes zbatimit të Marrëveshjes Bazike.
Kurti e informoi Presidenten e Komisionit Evropian për konfiskimin e armatimit të shumtë para katër ditëve në Zveçan në një veturë me targa të Beogradit, në vendin ku para katër javëve u ushtrua dhunë brutale mbi ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët.
Ai shprehu gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna.
Kurti po ashtu e falënderoi Presidenten von der Leyen për mbështetjen ndaj Kosovës për zhvillim ekonomik, demokraci moderne dhe drejtësi ligjore, si dhe e njoftoi atë për arritjet dhe sukseset e vendit tonë në shumë fusha.
Kujtojmë se po mbrëmë kryeministri Kurti rreth situatës në veri dhe zhvillimeve të fundit, pati edhe një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Blinken përsëriti sërish kërkesën për shtensionim të situatës, teksa u ka kërkuar dy palëve të kthehen në dialog.
Në telefonatën e tij me kryeministrin Kurti, sekretari Blinken përsëriti thirrjen që kryetarët e tre komunave të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të bojkotuara nga partitë serbe, të punojnë nga vende alternative.
Blinken po ashtu përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për planin trepikësh të BE-së për të cilin tha se është rruga përpara. /Reporteri.net/