×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti i përsërit kritikat për Borrellin: S’kam komunikuar me të që nga dje, SHBA po bisedon me Brukselin

    Reporteri
    22 Nëntor 2022 | 14:23

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se që nga dita e djeshme, kur kritikoi Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell  për rolin e tij në bisedimet e djeshme në Bruksel, nuk ka pasur komunikim me të.

    Ai ka përsëritur edhe një herë kritikat e tij për Borrellin, duke thënë se ai e braktisi propozimin franko-gjerman duke kërkuar dakordim vetëm për targat, shkruan Reporteri.net.

    Kurti ka thënë se bisedimet tani me Brukselin rreth çështjes së targave po i bën SHBA-ja, teksa ka falënderuar ambasadorin amerikan Jeff Hovenier, për siç ka thënë Kurti rolin e tij “konstruktiv” në këtë proces.

    “ShBA, sidomos ambasadori Hovenier është shumë i përkushtuar dhe i angazhuar dhe unë e falënderoj për këtë. Roli i tij është gjithmonë konstruktiv, pozitiv, kreativ. Ai po i bën përpjekjet maksimale, pra SHBA e sidomos Hovenier. Ata janë në kontakt me Brukselin, që prej kur pëfundoj takimi i fundit në kuadër të 48 orëshit që e kam pasur dje, nuk kam komunikuar me Borrell, i cili me keqardhje e ritheksoj e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e BE-së duke thënë le ta kemi një dakordim për targat, nuk mjafton një dakordim për targat”, u shpreh Kurti para mediave.

    Kujtojmë se dje në Bruksel në takimin maratonik trilateral BE-Kosovë-Serbi, nuk u arrit marrëveshje në lidhje me targat.

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borell, deklaroi se ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai cili nuk u pajtua me propozimet e BE’së për një zgjidhje për rrugën para për çështjen e targave.

    BE-ja kishte propozuar që Kosova të mos japë gjoba për targat ilegale, e të vazhdojë me qortime e Serbia të mos lëshojë më targa me akronime të qyteteve të Kosovës.

    Në anën tjetër, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se propozimi i BE-së që Kosova mos të shqiptojë gjoba dhe Serbia mos të lëshojë targa KM është i papranueshëm për të.

    Më vonë me kërkesë të ambasadorit amerikan, Kurti ka shtyrë zbatimin e fazës tjetër të vendimit, përkatësisht gjobitjes, për një tjetër 48 orësh. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!