×
  • Lajme
  • Lajme / De-përshkallëzimi

    Kurti: Javën e kaluar është reduktuar prania e Policisë në tri objektet komunale në veri – tani po i hapim rrugë zgjedhjeve

    Reporteri
    18 Korrik 2023 | 17:15

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se që nga java e kaluar është reduktuar prania e Policisë së Kosovës në tri objetet komunale në veri, shkruan Reporteri.net.

    Përmes një postimi në Twitter, kreu i Qeverisë ka thënë se tani po hapim rrugën për zgjedhje të parakohshme në këto komuna.

    Tutje ai ka shkruar se Kosova tashmë po zbaton me mirëbesim marrëveshjen me BE për shtensionimin, e cila u arrit në Bratisllavë.

    “Që nga java e kaluar, ne kemi reduktuar praninë e Policisë së Kosovës me 25% në 3 objektet komunale veriore. Tani po fillojmë të hapim rrugën për zgjedhje të parakohshme. Kosova tashmë po zbaton me mirëbesim marrëveshjen me BE/EUSR për de-përshkallëzimin, e arritur në Bratislavë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

    Të hënën e 10 korrikut, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pas takimit që pati me emisarin evropian, Miroslav Lajçak bëri të ditur se është arritur dakordim për “hapat e nevojshëm për të siguruar uljen e përshkallëzimit efektiv” të përcaktuar me ligj dhe fokusimin në normalizimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit.

    Ndërsa në anën tjetër, Lajçak pati shkruar në Twitter se në Bratisllavë ka zhvilluar “bisedime intensive” me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

    “Kemi biseduar për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e shteteve anëtare të BE-së më 3 qershor, dhe për mënyrën përpara për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog. Jemi pajtuar për hapat e parë drejt arritjes së këtij qëllimi”, shkroi Lajçak në Twitter./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!