Kryeministri Albin Kurti ka shkruar sërish për takimin me Presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, duke e cilësuar zgjedhjen e saj në krye të shtetit si “nder dhe kënaqësi”.
Kurti ka publikuar edhe video nga takimi i tyre në zyrën e re të presidentes, ku shihet duke i dhuruar një buqetë me lule.
“Nder dhe kënaqësi ta kemi presidente të Republikës së Kosovës, profesoreshën Justina Shiroka Pula, dhe të zhvillojmë takimin tonë të parë në zyrën e saj të re”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se e ka uruar Shiroka Pulën për detyrën dhe e ka falënderuar për pranimin e përgjegjësisë në një periudhë kur, sipas tij, vendi kishte nevojë për një presidente që përbashkon dhe sjell stabilitet.
“E urova për detyrën dhe e falënderova që na gëzoi duke pranuar këtë përgjegjësi në një kohë kur vendi kishte shumë nevojë për president që, përveçse përbashkon e sjell stabilitet, ka integritet të lartë, dije të gjerë dhe përvojë të gjatë akademike e institucionale”, ka shkruar ai.
Kryeministri ka bërë të ditur se institucionet do të bashkëpunojnë dhe bashkërendohen për çështjet me rëndësi për qytetarët dhe prioritetet shtetërore.
“Do të bashkëpunojmë e do të bashkërendohemi për punët e mira për qytetarët dhe për prioritetet shtetërore”, ka përfunduar Kurti.