Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas drekës së mbajtur të mërkurën në New York me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, dhe liderët e Ballkanit Perëndimor.
Kurti ka thënë se Kosova duhet të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë si një përgjigje ndaj, siç ka thënë ai, përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe orientimit të saj strategjik euroatlantik.
“Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik, por edhe veprim inkurajues për hov të shtuar në përkushtimin tonë për reforma e zhvillim”, ka shkruar Kurti.
Ai ka kritikuar gjithashtu vonesën e Bashkimit Evropian për trajtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë.
Sipas Kurtit, Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe ka shënuar përparim në shumicën e fushave.
“Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuaj tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonalë dhe më gjerë”, ka deklaruar ai.
Kurti është shprehur se procesi i integrimit evropian të Kosovës nuk duhet të kushtëzohet nga Serbia.
“Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen kriminelët e këtij shekulli dhe glorifikon të tjerët që kryen krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid në fund të shekullit të kaluar, në luftërat e ish-Jugosllavisë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka akuzuar Serbinë edhe për mohimin dhe fshehjen e krimeve të luftës, si dhe për refuzim të bashkëpunimit në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
“Ndërsa vijon me shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka shtuar Kurti.