×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Konferenca

    Kurti para Von der Leyen: Aktgjykimi i Speciales ka gabime faktike, historike dhe juridike

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 14:43

    Kryeministri Albin Kurti, ka folur edhe për aktgjykimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se vendimi po ndiqet me vëmendje të madhe nga qytetarët e Kosovës.

    Në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kurti ka veçuar tri çështje që, sipas tij, duhet të theksohen në nivel ndërkombëtar lidhur me aktgjykimin.

    “E para, pretendimet për të ashtuquajturën shtëpi të verdhë dhe për trafikimin e organeve as nuk bënë pjesë e aktakuzës. E dyta, akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera, sistematike kundër popullsisë civile u rrëzuan”, tha Kurti.

    Ai tha se në vendim është theksuar gjithashtu se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq dhe se aktgjykimi, sipas tij, nuk synon të cenojë legjitimitetin e luftës.

    “Dhe e treta, Dhomat e Specializuara theksuan qartë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë, apo legjitimitetin e luftës çlirimtare”, deklaroi ai.

    Megjithatë, Kurti tha se Qeveria ka shqetësime lidhur me pjesë të tjera të aktgjykimit, përfshirë dënimet e shqiptuara.

    “Në të njëjtën kohë, kemi shqetësime serioze për konkludime tjera dhe për dënime të rënda. Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike. Dhe presim që këto të korrigjohen në apel”, tha Kurti.

    Ai theksoi se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe të perceptohet si e tillë, ndërsa foli edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    “Rreth 20.000 njerëz janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe shumë kryerës nuk janë ndëshkuar. Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë, për çdo krim dhe për çdo kryerës”, tha ai.

    Kurti shtoi se, sipas tij, përgjegjësia për krimet nuk duhet të barazohet përmes narrativave që, siç tha, synojnë të krijojnë një tjetër interpretim të ngjarjeve.

    “Dhe ne nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë së fajësisë për shkak se dëshirojnë dikush të krijojë narrativa alternative”, deklaroi Kurti.

    Në fund të fjalimit, Kurti iu drejtua presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke e falënderuar për vizitën dhe mbështetjen, ndërsa tha se Kosova është e gatshme për hapin e radhës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    “Presidenti von der Leyen, ju falënderoj edhe një herë përzemërsisht që jeni. Kosova e ka bërë pjesën e saj dhe ne jemi gati për hapin e radhës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!