Kurti për Asociacionin: Kam mbajtë burg për këtë punë, po ta donte njëmend Serbia do ta njihte pavarësinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se Serbia e dëshiron Asociacionin, jo si vlerë për vete, por për ta përdorur si armë kundër shtetit të Kosovës.

Kurti thotë se nëse Serbia do ta dëshironte përnjëmend Asociacionin, gjëja e parë që do ta bënte është ta njihte pavarësinë e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

“Nëse Serbia do ta dëshironte përnjëmend Asociacionin, gjëja e parë që do ta bënte është ta njihte pavarësinë e Kosovës. Nëse e don Asociacionin fort, atëherë e njeh pavarësinë.

Neve nuk na duhet, ata nuk e dojnë, s’kemi pse i japim kaq shumë prioritet apo jo”, tha Kurti.

Kurti tutje tha se po ta dëshironte Serbia Asociacion do ta kishte zbatuar me ata që e ka nënshkruar, e nuk do të kishte pritur që në pushtet të vijë kundërshtari më i madh i Asociacionit për ta zbatuar.

“Nuk mund të kërkosh në dialog, gjëra të cilat apriori nuk je i gatshëm ta imagjinosh ti zbatosh në shtëpinë tënde. Politika është profesion serioz, bisedimet e negociatat po ashtu.

A po i bie që Serbia paska pritur që unë të bëhem kryeministër për ta zbatuar atë. Pra e paskan pritur kundërshtarin më të madh të asociacionit për ta zbatuar. Po të ishte prioritet Asociacioni do ta kishin zbatuar me atë që e kanë nënshkruar.

Nuk e duan Asociacionin si vlerë për vete, por si armë kundër Kosovës”, u shpreh Kurti në seancën e Kuvendit.

Madje Kurti ka thënë se për punën e Asociacionit ka mbajtur edhe burg. Ai këtë e ka thënë teksa ka replikuar me deputetin Avdullah Hoti, i cili tha se i është dashur të mbrohet nga spreji që Kurti kishte hedhur disa vite më parë në seancë.

“Është e vërtet, unë kam bërë si aktivist politik e deputet opozitar kundërvajtje, por unë kam mbajtur burg për këtë punë. Për të gjitha kundërvajtjet e mia kam mbajt burg. Shteti i së drejtës nuk është ende siç duhet sepse janë ca kriminelë të tjerë që s’janë ende prapa grilave”, tha Kurti në seancën e Kuvendit. /Reporteri.net/.