Kryeministri Albin Kurti publikoi mëngjesin e sotëm një dokument me “të arrtiturat kryesore të Qeverisë Kurti 2”.
Mbi dy muaj pas zgjedhjes së Qeverisë Kurti 4, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili qeveris me vendin që prej vitit 2021, flet për suksese e “të arritura të shumta” përgjatë këtyre viteve.
Në fjalën hyrëse në përmbledhjen e “të arrtiturave”, Kurti shkruan fillimisht për situatën e vështirë me pandeminë Covid 19 dhe luftën në Ukrainë.
“Pa kaluar as një vit, na goditi kriza energjetike dhe rritja e kostos së jetesës si pasojë e luftës në Ukrainë, krizë të cilën kontinenti evropian nuk e kishte parë brenda gjysmëshekullit të fundit”, shkroi ai.
Megjithatë, kryeministri thotë se “ia dolën” të qeverisin në mënyrë transparente, të drejtë dhe llogaridhënëse.
Kurti, beson fuqishëm se rritjen ekonomike që thotë se e solli qeverisja e tij me vendin, ndjehet në jetët e qytetarëve.
“Ndonëse rrugëtimi ynë u vështirësua nga bllokimi paszgjedhor në Kuvend, edhe si qeveri në detyrë ne nuk devijuam asnjëherë nga misioni. Besojmë fuqishëm se rritja ekonomike nuk është thjesht një statistikë në letër. Ajo ka vlerë vetëm kur ndihet në jetën tuaj: te paga që rritet, te shtesat për çdo fëmijë, te punësimi pa ndërmjetës dhe te sovraniteti në çdo cep të territorit tonë”, shkroi ai.
Ky konstatim i Albin Kurtit se rritja ekonomike po ndihet drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve duket se krijon një kontrast të dukshëm me realitetin ekonomik që përjeton një pjesë e konsiderueshme e popullsisë.
Ai përmend pagat, shtesat për fëmijët dhe punësimin si dëshmi të përmirësimit të jetës. Por këto masa nuk maten përmes ndikimit real në buxhetin familjar, por përmes shumave të ndara dhe numrit të përfituesve.
Deklarata e Kurtit se rritja ekonomike po ndihet në jetën e qytetarëve vjen në një kohë kur shqetësimet për koston e lartë të jetesës vazhdojnë të jenë të pranishme. Qytetarët ankohen se po përballen me rritjen e çmimeve dhe vështirësi në përballimin e shpenzimeve mujore.