×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Qëndrimi im për Asociacionin nuk ka ndryshuar, Kushtetuesja nuk e lejon

    Reporteri
    17 Nëntor 2022 | 11:16

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se dialogu me Serbinë asnjëherë nuk ka qenë më transparent sesa tani. 

    Kurti thotë se Qeveria e tij është treguar transparente në lidhje me këtë proces që nga fillimi, por ka shtuar se po ashtu është treguar e kujdesshme për të ruajtur konfidencialitetin e bisedimeve, shkruan Reporteri.net.

    “Për bindjen time të fuqishme dialogu ky nuk ka qenë asnjë herë më transparent. Që prej fillimit të tij ne jemi treguar transparent me publikun dhe kemi pasur diskutime me liderët opozitarë. Nuk mendoj që është e drejtë të thuhet se transparenca është zero. Ju pyesni unë përgjigjem, Gjithashtu në komisionet parlamentare. Unë i kam pasur në takim liderët e partive opozitare, ku kemi diskutuar edhe për propozimin franko-gjerman. Në njërën anë i përmbahem transparencës së procesit, por në anën tjetër edhe konfidencialitetit të bisedimeve”, ka thënë Kurti në seancën e Kuvendit.

    Kurti ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, themelimi i së cilit po kërkohet nga serbët, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

    Kurti ka përsëritur se nuk ka asgjë të re për të thënë për këtë temë, ngase siç thotë ai qëndrimi i tij për Asociacionin është po ai i vjetri.

    “Sa i përket Asociacionit, qëndrimi im është i njohur dhe i qartë. Në një çështje që jam përgjigjur panumër herë nuk kam çfarë të them të re sepse pyetja është e vjetër.

    Marrëveshja natyrisht që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese e cila e ka shpallur atë jokushtetuese”, ka thënë Kurti në seancën e Kuvendit. /Reporteri.net

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!