×
  • Lajme
  • Lajme / Kryeministri

    Kurti: Regjistrimi i Popullsisë nuk është thjesht ushtrim statistikor, por edhe reflektim për të kuptuar nevojat e popullit

    Reporteri
    12 Korrik 2024 | 13:33

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka prezantuar sot rezultatet paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë. Sipas këtyre rezultateve Republika e Kosovës ka 1,586,659 banorë, prej të cilëve 795,046 meshkuj (50.1%) dhe 791,614 femra (49.9%). Mosha mesatare del të jetë 34.8 vjet. Ndërkohë që regjistrimi i mërgatës po vazhdon, përcjell Reporteri.net.

    Në ngjarjen e organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, mori pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili në adresimin e tij tha se realizimi i regjistrimit të popullsisë ka qenë një nga projektet më me prioritet të Qeverisë së Republikës së Kosovës gjatë këtij viti, duke marrë parasysh rëndësinë e të dhënave në kohë si dhe rundin e regjistrimeve globale (2015-2024).

    “Ky regjistrim nuk është thjesht një ushtrim statistikor; është një reflektim i përkushtimit tonë për të kuptuar dhe adresuar nevojat e popullatës sonë – duke siguruar si shpërndarje të barabartë të burimeve po ashtu edhe hedhje të bazave për vendimmarrje të informuar që do të formësojë të ardhmen e Kosovës”, u shpreh ai.

    Kurti tha se rezultatet e një procesi të regjistrimit me karakteristikat e tyre që përfshijnë shtrirjen gjeografike, demografike, sociale dhe ekonomike, madhësinë dhe përbërjen e ekonomive familjare, kushtet e jetesës, nivelin e edukimit etj., duke filluar nga zonat më të vogla ose nëngrupet e popullsisë, e bëjnë unik dhe të vetëm regjistrimin.

    Të dhënat paraprake të regjistrimit: Kosova me mbi 1.5 milionë banorë

    “Nxjerrja e të dhënave të shumta, të plota dhe të sakta do t’u mundësojë të gjithë shfrytëzuesve dhe vendimmarrësve, duke filluar nga niveli lokal e qendror, por edhe për organizatat donatore e investitorët prospektivë për orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët. Pa të dhëna të sakta, pra, pa statistika cilësore edhe vendimet mund të jenë të pasakta dhe jo cilësore. Statistikat janë një e mirë publike dhe duhet përdorur për marrjen e vendimeve bazuar në dëshmi. Në demokraci, marrja e vendimeve politike duke u bazuar në dëshmi (d.m.th. në statistika) është shumë me rëndësi për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie”, tha Kurti në konferencë.

    Kurti, foli pak edhe me batutë.

    “Statistikat janë si ai shoku apo ajo shoqja që ju tregon që keni shtu peshë – ndoshta nuk dëshironi ta dëgjoni, por është e rëndësishme për shëndetin tuaj!. Të them të drejtën kjo fjali kur e pashë në fjalim nuk m’u duk fort e përshtatshme, por vendosa ta lexoj meqenëse e ka shtuar shefi i stafit tim, Luan Dalipi dhe qartazi, dukshëm këtë e ka bërë nga përvoja e tij personale”, tha Kurti duke qeshur.

    Kurti tha se Qeveria e Kosovës, së bashku me Agjencinë e Statistikave të Kosovës, gjatë kësaj kohe bashkërenduan aktivitetet dhe pothuajse të gjitha kërkesat e ASK-së drejtuar Qeverisë u aprovuan në kohë, gjë që mundësoi një rezultat të tillë të suksesshëm.

    “Unë jam krenar si kryeministër i Republikës së Kosovës, për përkushtimin dhe angazhimin e treguar nga të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces. Pra, ky regjistrim i popullsisë, është edhe shembull i bashkëpunimit dhe harmonisë të të gjithë këtyre njerëzve që morën pjesë bashkë në një proces kaq të rëndësishëm për vendin tonë për të ardhmen tonë. Unë personalisht, në një periudhë të shkurtër kohore (brenda 6 muajve) kam vizituar disa herë ASK-në për të parë nga afër përgatitjet e nevojshme, për të inkurajuar dhe për të ofruar mbështetjen time personale”, tha Kurti.

    Kurti tha se Kosova luan një rol të rëndësishëm në aktivitetet e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor dhe është një partner aktiv në punën e organizatave ndërkombëtare.

    “Duke marrë pjesë në iniciativa të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, Kosova kontribuon në përmirësimin e cilësisë dhe krahasueshmërisë së të dhënave statistikore. Ky angazhim jo vetëm që e përmirëson politikëbërjen e brendshme, por edhe rrit integrimin dhe besueshmërinë e vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

    Krahasimi me vitin 2011, sa banorë iu shtuan komunave të Kosovës dhe ku pati rënie

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!