×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti takohet me udhëheqëset e strehimoreve për viktimat e dhunës në familje, u premton mbështetjen e Qeverisë

    Reporteri
    06 Dhjetor 2021 | 10:46

    Ofrimi i shërbimeve të specializuara mbështetëse për viktimat e dhunës në familje dhe roli i strehimoreve në mbrojtjen dhe rehabilitimin e tyre, ishin tema e takimit të sotëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me udhëheqëset e strehimoreve.

    Kryeministri Kurti vlerësoi punën e strehimoreve si partnere në luftimin e dhunës në familje, të përfshira drejtpërsëdrejti në mbrojtjen e grave viktima të dhunës dhe fëmijëve të tyre.

    Siç njofton kryeministria përmes një kumtese, aty u bisedua për nismat e ndërmarra nga Qeveria për infrastrukturë të re ligjore, hartimin e Ligjit të ri për mbrojtje nga dhuna në familje si dhe Strategjinë për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026.

    Në takimin e përbashkët me Zëvendësministren e Drejtësisë, Nita Shala, njëherësh Koordinatore nacionale kundër dhunës në familje, dhe me udhëheqësen e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, kryeministri u njoftua nga udhëheqëset e strehimoreve për angazhimin dhe sfidat në fushën e përgjegjësisë së tyre, në fazat e reagimit ndaj rasteve të dhunës në familje, për mbrojtjen, rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri të viktimave të dhunës në familje.

    “U diskutuan hapat e mëtejmë që do të forcojnë edhe më tej zbatueshmërinë e drejtpërdrejtë të Konventës së Stambollit në kornizën tonë ligjore, dhe zbatimin e kërkesave që burojnë nga kjo konventë, e që do të udhëzojnë më tej punën e institucioneve përgjegjëse”, thuhet në kumtesë.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!