Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, me të cilin ka diskutuar finalizimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takimin e mbajtur të martën është diskutuar edhe dorëzimi formal i aplikimit në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC), pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Guvernatori Ismaili e ka informuar kryeministrin se sektori financiar i Kosovës mbetet stabil, ndërsa BQK-ja ka qëndrueshmëri financiare.

Reklamë

Gjatë takimit janë prezantuar edhe reformat që synojnë forcimin e mbikëqyrjes financiare, modernizimin e infrastrukturës dhe përafrimin e rregullativës me standardet e Bashkimit Evropian.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone, i cili, krahas anëtarësimit në SEPA, pritet të ndikojë në uljen e kostove të transaksioneve dhe rritjen e efikasitetit të pagesave.

Kurti dhe Ismaili kanë diskutuar gjithashtu rëndësinë e bashkërendimit institucional për zbatimin e reformave dhe përmbushjen e angazhimeve të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.

Në përfundim të takimit, të dy kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në funksion të stabilitetit financiar, modernizimit të sektorit dhe integrimit evropian, duke respektuar mandatin dhe pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës.