Aleanca ka reaguar përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook lidhur me shpenzimet për importin e energjisë elektrike, duke theksuar se mbi 1 miliard euro të qytetarëve të Kosovës kanë shkuar për blerjen e energjisë nga jashtë gjatë qeverisjes së Kurtit.

Në reagimin e saj, Aleanca e ka cilësuar këtë situatë si dëshmi të dështimit dhe keqmenaxhimit të sektorit të energjisë, duke kritikuar mungesën e investimeve në rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore dhe rritjen e varësisë nga importi.

Sipas Aleancës, kjo gjendje është reflektuar edhe në rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, duke rënduar buxhetin e familjeve kosovare.

Reklamë

Partia ka kërkuar që të hetohet çdo dyshim për keqpërdorim të parasë publike në sektorin e energjisë, duke përmendur edhe nevojën për zbardhjen e asaj që e cilëson si “mafia energjetike”.

Aleanca ka bërë të ditur se pikërisht për këto çështje ka ftuar interpelancë në Kuvendin e Kosovës.

“Duhet të zbardhet kjo skemë e organizuar dhe të ndalet ky degradim!”, thuhet në reagimin e Aleancës.