×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / ZKM

    Kurti thotë se Kosova është e gatshme për dialog konstruktiv në Bruksel, përmend tërheqjen e letrës së Bërnabiqit dhe dorëzimin e Radoiçiqit

    Reporteri
    14 Janar 2026 | 14:22

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, z. Peter Sorensen.

    Në njoftimin e ZKM-së thuhet se në takim Kurti theksoi se rezultati zgjedhor ka prodhuar një legjitimitet të ri demokratik, i cili garanton parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional, duke forcuar më tej funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

    “Ky legjitimitet i lartë, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog. Sa i përket palës tjetër në dialog, Kryeministri vlerësoi se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lidershipin në Serbi”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    Tutje Kurti ka shprehur gatishmëri për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel. Aty ai ka theksuar edhe rëndësinë e tërheqjes së letrës së ish-Kryeministres Bërnabiq si dhe dorëzimin e kryeterroristit Milan Radoiçiq.

    “Kryeministri shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel, duke theksuar rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara. Ai nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!