×
  • Lajme
  • Lajme / Intervista

    Kurti vazhdon sulmet ndaj Kushtetueses, e fton të garojë në zgjedhje

    Reporteri
    21 Mars 2024 | 20:59

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë, duke i komentuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe atë për Manastirin e Deçanit.

    Në një intervistë për RTK-në, Kurti ka thënë se Gjykata Kushtetuese duke e pranuar çdo ligj që kalon në Kuvend po e zëvendëson komisionin parlamentar për legjislacion.

    Ndërhyrjen e tij në sistemin e drejtësisë e ka çuar në nivel tjetër, duke e ftuar Gjykatën Kushtetuese që të garojë edhe në zgjedhje.

    “Gjykata Kushtetuese praktikisht është duke e zëvendësuar me trajtimin e ligjeve që ne i kalojmë në Kuvend, komisionin për legjislacion. Ne kemi komision për legjislacion, të gjithë ligjet janë duke përfunduar në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë kryeministri Kurti.

    “Nuk besoj që Gjykata Kushtetuese do të duhej të trajtonte secilin ligj, duke pasur komision, po merret me pagat, po merret me ligjin për çmimet tavan, me çdo gjë. Në këtë kuptim unë e ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë, i votojmë”, ka deklaruar Kurti.

    Çështja e dinarit

    Kurti është pyetur se si është përfshirë në dialogun në Bruksel edhe çështja e rregullores së re të BQK-së me të cilën është ndaluar dinari. Në këtë pyetje ai ka thënë se nuk mund të garantojë se çka do të flasë ndërmjetësi e pala serbe.

    Sa i përket kësaj çështjeje, Kurti ka thënë se nuk mund të ndërhyjë në planin e BQK-së. Por ka shtuar se nëse ka diçka që ministritë mund t’i adresojnë për komunitetin serb, këtë tha se do ta bënin me dëshirë, si për shembull nëse ka nevojë ndonjë serb i moshuar për t’i ndihmuar deri tek banka, këtë tha se qeveria është e gatshme ta bëjë.

    “Ne nuk mund të garantojmë çka do të flasë ndërmjetësi ose çka do të flasë pala tjetër, edhe nuk pajtohemi nëse është në shpërputhje me Kushtetutën dhe ligjin tonë dhe në këtë rast ne jemi përpjekur me gjithë fuqinë tonë të respektojmë rendin republikan të Kosovës së pavarur që do të thotë ta mbajmë Bankën Qendrore të Kosovës edhe përpara edhe nga lartë. Për tagrat do të mund të flisnim ne si qeveri, por me datën 27 dhjetor rregullorja e re është e BQK-së ne jemi të gatshëm që teksa zbatohet plani 10 pikësh për tranzicion 3 mujor nga BQK-ja, nëse ka pasoja që mund t’i adresojnë ministritë tona për komunitetin serb këtë do ta bëjmë me shumë dëshirë, por nuk mund të ndërhyjmë as tek plani i BQK-së për zbatim e as tek rregullorja që tashmë është aprovuar. Nëse ka nevojë ndonjë serb i moshuar që të ndihmohet deri tek filan banka jemi shumë të gatshëm”, tha Kurti.

    Vendimi i “vështirë’ për Manastirin e Deçanit

    Kurti e përshkroi si “shumë të vështirë” vendimin për Manastirin e Deçanit, por këtë tha se e bëri kur peshoi të gjitha gjërat dhe konstatoi se është më mirë që të vazhdohet tutje.

    Është vështirë të marrësh vendim mbi diçka që nuk pajtohesh, u pyet Kurti sa i përket vendimit për Manastirin e Deçanit.

    Kryeministri Kurti tha në RTK, “Po qysh nuk është vështirë, është shumë vështirë”.

    “Situata nuk ka qenë e lehtë por kam vleëruar që kur prej tri kushteve për anëtarësim në KiE na kanë hequr dy, na kanë lënë vetëm një, kosotoja e bllokimit te vetëm ky kusht është më e madhe se kostoja e zbatimit të këtoj vendimi me të cilin nuk pajtohem. Në kontekstin aktual besoj që është jetike që Kosova të anëtarësohet në KiE, të jemi të barabartë me Spanjën, Greqinë, Sllovakinë, Qipron etj”, tha Kurti në RTK.

    “Kur i kam peshuar gjërat kam thënë që është më mirë të vazhdojmë tutje”, u shpreh ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!