×
  • Lajme
  • Lajme

    Kusari-Lila: Rezoluta e Kuvendit rikonfirmoi vullnetin e pushtetit dhe opozitës për proceset që shkelin sovranitetin

    Reporteri
    17 Janar 2022 | 12:28

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është deklaruar rreth mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Madje, ajo përshëndeti qëndrimin e opozitës në seancën e së shtunës në lidhje me referendumin e Serbisë.

    Ajo njoftoi se këtë të enjte, Kuvendi do të mbajë seancën e re plenare, ku do të mbahet diskutimi parlamentar i kërkuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në lidhje me rritjen e çmimeve.

    Pas kësaj seance, pritet që po të njëjtën ditë të mbahen punimet e seancave të kaluara, të cilat nuk kanë përfunduar, ku në rend dite janë marrëveshjet ndërkombëtare, katër prej të cilave nuk janë votuar.

    “U vendos që fillimi i punimeve të rregullta të sesionit pranveror të jetë data 20 janar, dita e enjte, të fillojë seanca e re. Në rendin e së cilës janë të parapara shqyrtimi i projektligjeve në lexim të dytë, votimi i një marrëveshje ndërkombëtare, gjithashtu në këtë seancë do të mbahet edhe debati parlamentar i kërkuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që në sesionin vjeshtor, ai në lidhje me rritjen e çmimeve. Planifikohet që po të njëjtën ditë, me përfundimin e punimeve të seancës së re, të vazhdohet me punimet e seancave të mbetura nga sesioni vjeshtor. Në rend të ditës do të jenë marrëveshjet ndërkombëtare, katër prej të cilave nuk janë votuar, me mundësinë e vazhdimit të punimeve edhe gjatë ditës së premte”, ka thënë Kusari-Lila para gazetarëve.

    Në konferencën e mbajtur pas kësaj mbledhje, ajo u pyet në lidhje me referendumin e Serbisë, për çka tha se rezoluta e Kuvendit të Kosovës ka rikonfirmuar vullnetin e të gjitha partive politike në pushtet dhe opozitë në raport me një proces që shkel sovranitetin dhe kushtetueshmërinë e Republikës së Kosovës. Ajo madje përshëndeti qëndrimin e opozitës gjatë seancës së mbajtur të shtunën.

    Kusari-Lila më tej u deklarua edhe për partneritetin me faktorin ndërkombëtar për çka tha se nuk ka ndonjë rrezik në këtë aspekt.

    “Reciprociteti si koncept bëhet në mes të dy shteteve, nuk bëhet në kuadër të një shteti mes dy etnive. Si koncept i tillë në kuadër të Republikës së Kosovës nuk mund të aplikohet dhe nuk ekziston. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës ka rikonfirmuar vullnetin e të gjitha partive politike të pozitës dhe opozitës në Kuvend në raport me një proces i cili shkel sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës. Votimi për zgjedhjet, qofshin ato parlamentare apo siç ishte me referendum të një shteti tjetër apo të shtetasve tjerë me dy shtetësi, është i paraparë dhe si shumë herë u ritheksua ditën e shtunë ën Kuvend, ekzistojnë metoda si votohet. Si parim dhe si proces është përcaktuar dhe mund të bëhen përgatitjet tashmë dy apo tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi në mënyrë që të kuptohet se Kosova është një tërësi territoriale, një shtet i pavarur dhe sovran dhe një ligj i aplikueshëm për të gjithë njëjtë… Nuk e besoj fare se ka prishje të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Kosova si projekt dhe si nismë edhe para shpalljes së pavarësisë edhe pas saj është bashkë me partnerët ndërkombëtarë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!