Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në Aktgjykimin e plotë lidhur me kërkesën e Listës Serbe, e ka lejuar votimin ndaras të nënkryetarëve.
Sipas vendimit, thuhet se nuk përbën shkelje nëse nënkryetarët votohen ndaras, meqë votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, shkruan Reporteri.net.
“Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve. Gjykata vëren se bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të
komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”, thuhet në vendim.
Megjithatë, Gjykata ka theksuar se propozimi për nënkryetar serb, duhet të bëhet nga shumica e deputetëve, e që i bie në këtë rast, Lista Serbe.
“Nga si më sipër, Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit Serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb”, thuhet në vendim.
Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga minoriteti joserb, ndërsa asnjëri deputet serb nuk i ka siguruar votat e nevojshme për pozitën e rezervuar për këtë minoritet, pavarësisht disa rundeve të votimit dhe ndryshimit të emrave të kandidatëve.

Për ta zgjedhur nënkryetarin, deputetët kanë afat 12 ditë nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit.
Sipas Kushtetueses, zgjedhja e nënkryetarit serb është parakusht për konstituimin e Kuvendit./Reporteri.net