Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Në aktgjykimin për kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, të parashtruara nga deputetë të PDK-së, Kushtetuesja ka saktësuar datën deri në të cilën duhet të përfundojë procesi për zgjedhjen e Presidentit.

Kjo do të thotë se Kuvendit i kanë mbetur 13 ditë për ta përmbyllur procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Reklamë

Në pikën e gjashtë të aktgjykimit, Gjykata konstaton drejtpërdrejt:

“TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”.

Kjo do të thotë se, nga 23 shtatori, kur Gjykata Kushtetuese e publikoi vendimin, deri në përfundimin e afatit më 6 tetor, kanë mbetur edhe 13 ditë.

Gjykata, ndërkaq, ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë.

Në të njëjtin aktgjykim, Kushtetuesja ka konstatuar se tejkalimi i këtij afati ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit dhe Qeverisë.

Reklamë

Kushtetuesja ka konstatuar gjithashtu se zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator 2026 nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës, ndërsa ka kërkuar që deputetët “sa më parë” të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga grupi i dytë më i madh parlamentar.