Një buxhet prej 61 mijë eurosh është paraparë për Komisionin që do të merret me hetimin e rrethanave të vrasjes së Arlinda Zekajt.

Kuvendi me 67 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim, ka miratuar buxhetin e Komisionit hetimor parlamentar për veprimet dhe mos veprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Komisioni pritet të ketë një rol në shqyrtimin dhe trajtimin e rrethanave që lidhen me këtë rast, ndërsa ndarja e këtij buxheti ngre interesim lidhur me mënyrën se si do të shfrytëzohen mjetet financiare dhe cilat do të jenë detyrat konkrete të tij.

Reklamë

Shuma prej 61 mijë eurosh përbën buxhetin e paraparë për funksionimin e këtij komisioni, i cili do të ketë për detyrë të merret me zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt, të martën janë arrestuar edhe katër persona të tjerë. Në mesin e tyre janë edhe ish-vjehrra dhe ish-kunati tjetër që dyshohen për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë. E dy personat tjerë të arrestuar dyshohen se ndihmuan kryesin të largohet e të strehohet, pasi e ka vrarë Zekajn.

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, është vrarë më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërkaq, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, pak orë para vrasjes është ndaluar nga organet e rendit, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.