×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Ngërçi insitucional

    Kuvendi nesër provon sërish zgjedhjen e nënkryetarëve

    Reporteri
    10 Shtator 2026 | 21:52

    Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë nesër, të premten, seancën konstituive, ku në rend dite është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

    Seanca është caktuar të nisë në orën 11:00, ndërsa deputetët do t’i rikthehen pikës për zgjedhjen e nënkryetarëve, pasi një ditë më parë nuk arritën t’i zgjedhin ata. Vetëm 7 deputetët e Aleancës, nuk do të jenë as nesër në seancë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Të mërkurën. pas zgjedhjes së Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit, procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve është përballur me një bllokadë të re, për shkak të mospajtimeve mes subjekteve politike rreth kandidatëve të propozuar.

    Një ditë para seancës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është takuar me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati. Në takim është diskutuar edhe situata aktuale politike dhe nevoja për konstituimin e institucioneve.

    Hamza ka shprehur shqetësimin për vonesat në konstituimin e Kuvendit, duke thënë se bllokada duhet të marrë fund dhe se përgjegjësia për formimin e institucioneve duhet të ushtrohet pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat parlamentare.

    Në këtë situatë, mbetet e paqartë nëse nesër do të arrihet marrëveshja e nevojshme për zgjedhjen e nënkryetarëve dhe përmbylljen e konstituimit të Kuvendit.

    Ndërkohë, deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Hyseni, ka deklaruar se nuk i pëlqen të votojë për Kujtim Shalën dhe Vlora Çitakun, duke e lidhur qëndrimin e saj me deklaratat e tyre kundër një marrëveshjeje të mundshme me Albin Kurtin.

    Edhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka kritikuar qasjen e VV-së ndaj procesit të konstituimit, duke e cilësuar atë si “diktaturë të mbështjellë në numra”.

    Përplasja për nënkryetarët: Pas zgjedhjes së Haxhiut, Kuvendi përballet me bllokadë të re

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!