Kuvendi zgjedh dy drejtorë të bordit të ndërmarrjes publike KOSTT

Liza Marku dhe Sead Mujovi janë zgjedhur si drejtorë të bordit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës – KOSTT. Marku është votuar për drejtoreshë të bordit të kësaj ndërmarrje sipas kuotës gjinore për pjesën tjetër të mandatit të mbetur deri në vitin 2024. Ndërsa, Sead Mujovi është zgjedhur drejtor i bordit nga radhët e komunitetit joshumicë në këtë kompani publike.

Kandidatë për drejtorë të KOSTT-it ishin Liza Marku dhe Anita Cucoviq. Ndërsa, nga radhët e komunitetit joshumicë Hajrije Shkriel dhe Sead Mujovi.

Kryetari i komisionit votues, Hajdar Beqa tha se në këtë votim kanë votuar 83 deputetë.

“Në votim kanë marrë pjesë 83 deputetë, të pavlefshme kanë qenë katër fletëvotime, votat e fituara për kandidatët e propozuar për zgjedhje të anëtarëve të bordit të ndërmarrjes-KOSTT, sipas kuotës gjinore janë Liza Marku ka fituar 73 vota dhe Anita Cucoviq ka fituar gjashtë vota. Sipas këtij rezultati, komisioni konstaton se zonja Liza Marku është zgjedhur drejtore e bordit të ndërmarrjes së KOST-it”, ka njoftuar ai.

Po ashtu, ai ka njoftuar se për drejtor nga komunitetet joshumicë kanë marrë pjesë 83 deputetë.

“Në votim kanë marrë pjesë 83 deputetë, të pavlefshme kanë qenë dy vota. Votat e fituara për kandidatët e propozuar për zgjedhje të drejtorit të bordit të ndërmarrjes KOSTT nga radhët e komunitetit joshumicë janë Hajrije Shkreli ka fituar 23 vota, kurse Sead Mujovi ka fituar 58 vota. Sipas këtij rezultati komisioni konstaton se Sead Mujovi është zgjedhur drejtor i bordit të KOSTT-it”, ka shtuar ai.

Organi më i lartë legjislativ po voton edhe për tre anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave.