×
  • Lajme
  • Lajme

    Ky është i dyshuari për mashtrim me bileta të bashkatdhetarëve që u arrestua nga Policia

    Reporteri
    26 Prill 2019 | 19:43

    Roland Idrizaj është njëri prej të arrestuarve nga Policia e Kosovës, të premten, shkruan Reporteri.net. Kjo pasi ai dhe një femër me inicialet A.D., dyshohen se mashtruan me avio-bileta gjithsej 27 bashkatdhetarë.


    Arrestimi i dy të dyshuarve u bë gjatë një operacioni policor në katër lokacione, në rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë, në mesin e tyre u bastisen tri agjensione turistike si dhe një banesë.

    “Gjatë kontrollimit është bërë arrestimi i dy personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast si dhe është bërë konfiskimi i tri shtëpizave të kompjuterëve, tre telefonave mobil, dhe disa dokumenteve të cilat ndërlidhen me rastin”, tha policia.

    Ndaj të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Ky është njoftimi i plotë i policisë:

    Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia e Hetimeve Financiare pas hetimeve disa mujore nën dyshimin e bazuar për veprën penale ‘Mashtrim’, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aplikuar masat e fshehta të hetimit me ç’rast ka bërë mbledhjen e mjaftueshme të provave të cilat ndërlidhen me veprën penale të lartcekur.

    Lidhur me rastin, me datë 26.04.2019 është zhvilluar plani operativ Avio-Biletat me ç’rast janë kontrolluar katër lokacione, në rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë, në mesin e tyre tri agjensione turistike si dhe një banesë.

    Gjatë kontrollimit është bërë arrestimi i dy personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast si dhe është bërë konfiskimi i tri shtëpizave të kompjuterëve, tre telefonave mobil, dhe disa dokumenteve të cilat ndërlidhen me rastin.

    Personat e dyshuar të arrestuar në këtë operacion janë:

    * R.I – M/SH/K viti i lindjes 1990,

    * A.D – F/SH/K viti i lindjes 1995

    Si pasojë e veprimeve të të dyshuarve dyshohet se janë dëmtuar disa agjensione turistike dhe rreth 27 (njëzet e shtatë) qytetarë nga regjionet e ndryshme të Kosovës si dhe nga diaspora.

    Dyshohet se numri i personave të dëmtuar nga ky rast mund të jetë më i madh, andaj: Apelojmë tek të gjithë qytetarët që janë viktima të mundshme të mashtrimit nga personat e dyshuar të lartëcekur të lajmërohen në polici.

    Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarve iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!