×
  • Lajme
  • Lajme

    Lajçak takon kryenegociatorët: Sinqerisht shpresoj të gjejmë zgjidhje sot

    Reporteri
    23 Nëntor 2022 | 16:20

    Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka pritur në takim zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bisilimi dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

    Lajçak, përmes një postimi në Tëitter, ka thënë që shpreson që të arrihet një zgjidhje për depërshkallëzim të tensioneve dhe punë drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.

    “Sot po pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë si vazhdim i takimit tonë të nivelit të lartë. Shpresa ime e sinqertë është se ne do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje sot për të depërshkallëzuar tensionet në terren dhe për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Lajçaku.

    Takimi trilateral i Nivelit të Lartë të hënën në Bruksel u konkludua pa marrëveshje mes mospajtimesh nga Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borrell dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Borrelll tha se ka prezantuar një kompromis që Kosova të mos nis fazën e gjobitjes për veturat me targa “KM” ndërsa Serbia të pranojë të mos lëshojë më targa të reja “KM”. Ndërmjetësi evropian tha se ishte Kurti ai që s’pranoi propozimin, ndërsa kryeministri tha se ishte Borrell ai që takimin e reduktoi në çështje targash dhe se hoqi dorë nga marrëveshje e përgjithshme për normalizim.

    Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, në një përgjigje për gatën online Reporteri.net ka thënë se nuk mund të ketë negociata për normalizim për sa kohë rreziku për dhunë është prezent, dhe se Borrell ka insistuar që së pari të zgjidhet kjo çështje. Pretendimet se BE ka hequr dorë nga marrëveshja për normalizim, Stano i ka quajtur të pavërteta.

    Ndërkaq, Kurti ka vazhduar të thotë se ai ka shkuar në Bruksel për marrëveshje për normalizim dhe jo për zgjidhje të çështjeve të targave, ndërsa indinjatën e tij e kishte me Përfaqësuesin e Lartë të BE’së, i cili, sipas tij, “praktikisht hoqi dorë nga marrëveshja për normalizim”, të cilën, siç vazhdoi të tregojë Kurti, parashihej të ndodhte para marsin të vitit 2023.

    Kryeministri ka pranuar që në kërkesë të ShBA të shtyjë për 48 orë zbatimin e vendimit për gjobitjen e vozitësve me targa KM në mënyrë që të hapet rrugë për gjetjen e ndonjë zgjidhje. Nëse s’ka marrëveshje nga takimi Bislimi-Petkoviç, gjobitja nis qysh të enjten nga ora tetë e mëngjesit./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!