Presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë së re, shkruan Reporteri.net.
Sikurse mandatari i parë, edhe Konjufca ka 15 ditë afat për votim në Kuvend. Osmani tha se mandatimi i tij është bërë në përputhje me aktgjykimet e kaluara të Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk kemi propozim tjetër, përvec propozimit që ka ardh nga partia e parë për ta mandatuar z.Konjufca. Kam mandatuar z. Konjufca si kandidat tjetër për kryeministër”, tha Osmani.
Ajo tha se nuk ka pasur propozim nga partitë tjera për mandatar. Sa i përket qëndrimeve se duhet të jenë 61 nënshkrime, Osmani tha se “në zyren time nuk kërkohet garancë për krijimin e Qeverisë, por kërkohen gjasa…Garanca jepet në Kuvend, prandaj edhe kërkohen votat aty”.
“Të gjitha veprimet që po ndërmarrë, janë vetëm në funksion të mbrojtjes së stabilitetit kushtetues, të forcimit të institucioneve demokratike dhe sigurimit të mirëqenies së qytetarëve tanë”, tha Osmani.
Osmani tha se është interes që të ketë institucione sa më parë.
“Është interes i qytetarëve që të kemi institucione dhe të bëhen çdo përpjekje të mundshme që të krijohen, që së paku të miratojnë vendime të rëndësishme në të mirë të qytetarëve…Si presidente kam vlerësuar se është në interes të Kosovës të provohet, të krijohet Qeveria, që këto vendime të mos presin edhe disa muaj të tjerë”, tha Osmani./Reporteri.net