Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as në përpjekjen e fundit para se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Kjo ishte përpjekja e 54-të për konstituim që nga 15 prilli kur është mbajtur seanca e parë.

VV-ja nuk hoqi dorë nga propozimi për votim të fshehtë as në seancën e fundit.

Reklamë

Për votuan 56 deputetë, kundër nuk kishte, e as abstenime.

Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi. Ky afat përfundon sot në mesnatë.

Nga nesër hyn në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalon deputetët të marrin çdo vendim apo ndërmarrin veprime pas kalimit të afatit 30-ditor për konstituim, të përcaktuar me aktgjykimin e 26 qershorit.