Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka zhvilluar të enjten inspektime në Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Suharekë, ku janë kontrolluar 12 markete.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), gjatë kontrolleve janë evidentuar produkte të ndaluara për shitje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Si rezultat i inspektimeve, nga tregu janë tërhequr shtatë produkte qumështi, pasi nuk e kanë deklaruar në etiketë përmbajtjen e vajit të palmës.

Reklamë

Produktet e tërhequra janë: Schmand, VITA 18% – 180 g, 400 g dhe 800 g; Holla Cooking Cream – 1 L; Holla Barista 3.8% – 1 L; Mazë tradicionale DRENA – 1 kg; si dhe Schmand i freskët BYLMETI.

“Gjatë inspektimeve të sotme janë tërhequr nga tregu këto produkte”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.

Ministria ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të fillojë edhe shqiptimi i gjobave ndaj operatorëve ekonomikë që nuk i kanë tërhequr produktet e papajtueshme me raportin e AUV-it.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë pa vonesë urdhrat për tërheqjen e produkteve të përcaktuara nga autoritetet kompetente, duke respektuar vendimet e AUV-it dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Aksioni vjen pas kontrolleve të AUV-it, i cili kishte konstatuar përmbajtje që nuk ishin deklaruar në etiketat e produkteve. Sipas rezultateve të mostrave të testuara, produktet me mospërputhje përmbanin vaj palme dhe qumësht pluhur.

Reklamë

MINTI ka njoftuar edhe ditë më parë për tërheqjen e produkteve të tjera nga tregu për shkak të mospërputhjeve të konstatuara nga autoritetet kompetente.