×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK kundër protestave të VV-së në rrugë: S’bëhemi bisht i askujt

    Reporteri
    05 Prill 2019 | 17:22

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje i është drejtuar qytetarëve duke kërkuar mobilizim popullor për ta çuar vendin në zgjedhje të reja. Edhe partitë tjera opozitare e duan rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, por LDK thotë se nuk do t’i bashkohet protestës kundër “PANhajnisë” që paralajmëroi Kurti.


    Nënkryetari i LDK-së që është edhe kryetar i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka përdorur një fjali të moçme kur është pyetur nga Express nëse do t’i bashkohen protestës së thirrur nga Albin Kurti e titulluar kundër “PAN hajnisë” që kërkon rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Veliu tha se nuk do t’i bashkohen këtyre protestave pasi “nuk i bëhen bisht askujt”.

    “Jo nuk i bashkohemi protestave të tyre, se nuk i bëhemi bisht askujt”, tha Veliu.
    Ai shtoi se e duan rrëzimin e Qeverisë por jo përmes protestave.

    “Ne e kërkojmë rrëzimin e Qeverisë po jo me këto metoda, këto metoda nuk janë të pranueshme”, tha Veliu.

    Nënkryetari i LDK’së nuk konkretizoi se çfarë metodash do të përdorë LDK-ja për ta rrëzuar kryeministrin Haradinaj nga pushteti por tha se votat për rrëzim nuk i kanë.

    Tha se e kanë pasur një ide por Vetëvendosjes iu larguan deputetët dhe nuk është realizuar ajo ide.

    “E kemi pas idenë, po Vetëvendosja u nda me shokët e tyre, po i përkrahin Qeverisë kur po kanë nevojë dhe momentalisht nuk ka vota të mjaftueshme”, përfundoi Veliu.

    E mendim ndryshe nga Veliu ka deputetja e kësaj partie Vjosa Osmani. Mbrëmë ajo tha se LDK është pro protestave, por nuk i përkrahin ato të dhunshmet.

    “LDK është partia e parë që ka protestuar që nga koha kur kundërshtonte regjimin e Millosheviqit. Ne jemi pro organizimeve në masë. Por assesi nuk jemi për protesta të dhunshme me gaz lotsjellës e mjete të tjera”, ka thënë Osmani.

    Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje nga sot ka nisur tubimet me qytetarë kundër Qeverisë Haradinaj.

    U raportua se tubimet fillojnë nga komuna e Vushtrrisë për të vazhduar në çdo komunë të Kosovës.

    Albin Kurti dje u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protestë dhe ta rrëzojnë Qeverinë Haradinaj, po ashtu tha se pas tubimeve do të bëjë edhe një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit aktual. /Express/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!