Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me reagim pas deklaratës së Kryeparlamentarit Dimal Basha në fund të seancës së sotme, duke thënë se Kuvendi nuk është konstituuar ende.
LDK ka thënë se Kushtetuta e Republikës, Rregullorja e Kuvendit dhe aktgjykimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese janë të qarta dhe pa ekuivok sa i përket procedurave dhe kushteve të konstituimit të tij.
Sipas kësaj partie, çdo tentim për të interpretuar ndryshe apo për të anashkaluar këto dispozita themelore përbën shkelje të rendit kushtetues dhe cenim të parimeve demokratike mbi të cilat mbështetet shteti, shkruan Reporteri.net.
“Kuvendi nuk mund të funksionojë dhe të marrë vendime pa përmbushur më parë procesin e konstituimit, siç e përcaktojnë qartë Kushtetuta, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Vonesat e vazhdueshme në konstituimin e Kuvendit dhe në formimin e institucioneve përbëjnë një dëm të madh për vendin. Këto vonesa po pengojnë funksionimin normal të jetës institucionale dhe përgjegjësia e barra kushtetuese, politike e morale bie kryekëput mbi LVV-në dhe drejtuesin e saj”, thuhet në reagim.
Basha e konsideroi Kuvendin e konstituuar, ndonëse dështoi zgjedhja e nënkryetarit serb./Reporteri.net