Lëshohet në qarkullim linja e autobusit nga Prishtina në Aeroport dhe anasjelltas

Të mërkurën është lëshuar për qarkullim linja e autobusit Prishtinë-ANP “Adem Jashari” dhe anasjelltas.


Kjo linjë e nevojshme për të gjithë qytetarët që e udhëtojnë përmes aeroportit të Prishtinës për të lëvizur drejt Evropës dhe botes, u materializua pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit nga ana e ministrit Pal Lekaj, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në këtë aktivitet në emër të ministrit Lekaj, mori pjesë zëvendësministri Rexhep Kadriu, i cili theksoi rëndësinë e kësaj linje të autobusit dhe në të njëjtën kohë shprehu angazhimin e ministrit dhe ministrisë për të mundësuar edhe një linjë të tramvajt që do të mundësojë qarkullimin edhe më të shpejtë të qytetarëve nga kryeqyteti në drejtim të ANP, “Adem Jashari”.

Zëvendësministri Kadriu, po ashtu theksoi angazhimin në të ardhmen që çmimi fillestar prej 3 euro të zbritet, sepse kjo do të ndikonte edhe më tepër që kjo mënyrë e lëvizjes në këtë relacion të bëhet edhe më e përdorshme nga të gjithë.

“Jemi te hapur që komunes së Prishtinës t’i dalim në ndihmë edhe në sektorë të tjerë, ku do të ndikonim pozitivisht në jetën e qytetarëve dhe ekonominë e tyre”, tha në fund zëvendësministri i MIT, Rexhep Kadriu.​